Basha: Protesta paqësore deri në largimin e qeverisë

Prej orës 10:30 përpara Parlamentit ka nisur protesta e opozitës, ku janë mbledhur qindra persona.

Para se të nisnin fjalimet e eksponentëve kryesorë të PD-së, protestuesit hodhën vezë, domate, patate dhe tymuese në drejtim të oborrit të parlamentit para të cilit ndodhet një kordon policor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu drejtuar protestuesve përpara Parlamentit, theksoi se opozita do të vazhdojë me protestat paqësore deri në largimin e qeverisë.

“Në këto dy vite, ekonomia tregoi se ranë investimet e kreditimi dhe u rrit varfëria, papunësia dhe lindi mjerimi. Rama është kryeministri më i pasur i popullit më të varfër. Korrupsion, trafik dhe drogë në këtë qeveri e askush nuk përgjigjet para ligjit. Rama e tregon popullin si hajdut, kur vetë ka thyer çdo rekord hajdutërie. Kush e pranon zë heshtur një qeveri që toleron vjedhjen, kush toleron një qeveri me ministër kryetrafikant, nuk është naiv apo i paditur, por është bashkëfajtor”, tha Basha.

Më tej, kreu i opozitës nënvizoi se është “pro protestave paqësore deri në largimin e qeverisë” para se të falenderonte edhe Policinë e Shtetit.

“E dimë që edhe ju jeni me ne. Jeni me ligjin dhe jo me shtetin e të padrejtës. Jeni me popullin dhe jo me Edi Ramën”, tha Basha.

Por më herët i pari që mori fjalën në protestë ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili tha se “25 vite më parë, jo shumë larg nga këtu, studentët dhe qytetarët u mblodhën bashkë dhe i dolën përballë regjimit më të egër që kishte njohur ndonjëherë ky vend”.

“ Sot, 25 vite më vonë, jemi prapë në këmbë, në protestë, sepse nuk mund të pranojmë një tjetër regjim po aq i padrejtë, po aq represiv”- theksoi ai.

Ndërkohë, deputeti Genc Pollo theksoi se “kjo qeveri duhet të iki jo për politikanët e tjerë që t’i zënë vendin, por për njerëzit që jetojnë këtu”.

 

Share Button