Basha pret delegacionin e BB

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot një delegacion të Bankës Botërore kryesuar nga zëvendëspresidentja për Europën dhe Azinë Qëndrore, Laura Tuck, dhe ndau me ta shqetësimin e opozitës për përkeqësimin e treguesve ekonomikë e fiskalë, për mungesën e transparencës dhe pasigurinë që ka krijuar në vend mossundimi i ligjit.
Duke analizuar zhvillimet në ekonomi të këtyre 9 muajve, z.Basha tha se rritja e nivelit të borxhit publik, rritja e pasigurisë, ndalja e investimeve publike dhe intimidimi i investimeve private përmes arbitraritetit qeveritar dhe shkeljes së ligjit kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike dhe shtimin e papunësisë. Megjithë rritjen e taksave dhe akcizave, Basha tha se qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Duke iu referuar vetë buxhetit dhe planit të ekzekutivit, që parashikon mbledhjen e 40 miliardë lekëve, faktet tregojnë se me ecurinë e derisotme nuk arrihet as gjysma e kësaj shifre.
Duke iu referuar raporteve të insitucioneve finaciare të cilat konstatojnë në vijimësi se ka rënie të kreditimit, konsumit dhe punësimit, kryetari i opozitës theksoi domosdoshmërinë e përballjes me realitetin dhe jo përhumbjen në propagandë apo falsifikim të të dhënave siç po bën aktualisht qeveria për konsum mediatik. Në të kundërt, pasojat do të bëhen gjithmonë e më të rënda dhe të papërballueshme për qytetarët dhe vendin, theksoi zoti Basha.
Shumë shqetësuese e cilësoi kryetari i opozitës edhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë përsa i përket vendimarrjes në tërësi dhe prokurimeve publike në veçanti, çka dëshmon për rritje të informalitetit dhe korrupsionit. Z.Basha informoi delegacionin e Bankës Botërore për shqetësimin që ka krijuar në vend shkelja e ligjit nga ana e qeverisë, dhe moszbatimi i vendimit të gjykatave.

Share Button