Barbie modelon kukullën me hixhab, nderon garuesen olimpike në skermë

Kukulla e famshme Barbie, ka shtuar një veshje të re në garderobën e saj, më konkretisht një kukull të veshur me hixhab, me çka ka nderuar garuesen olimpike në sportin e skermës (lufta me shpata), Ibtihaj Muhammad, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi të ngazëllyer se po nderojmë Ibtihaj Muhammadin me një kukull për nder të saj. Ibtihaj vazhdon të inspirojë gratë dhe vajzat për të shkuar përtej kufijve”, thuhet në llogarinë zyrtare të kukullës Barbie në Twitter.

Në Lojërat Olimpike të vitit 2016 në Rio, Ibtihaj Muhammad u bë amerikanja e parë me hixhab që ka garuar në Olimpiadë, ku shënoi një sukses të jashtëzakonshëm në sportin skermë duke fituar medaljen e bronztë.

“Jam shumë krenare nga fakti se tashmë vajzat e vogla që luajnë me kukullat Barbie mund të zgjedhin një me hixhab! Kjo është një ëndërr e imja e fëmijërisë që është bërë realitet”, shkroi Muhammad në llogarinë e saj në Twitter.

Kukulla me hixhab është nga edicioni i fundit i programit “Sheroes”, i cili nderon heronjtë femra të cilat kanë inspiruar vajzat të tejkalojnë kufijtë dhe u kanë ofruar grave anembanë botës mundësi të reja.

Kompania Mattel me seli në Kaliforni, ka thënë se kukulla e re do të jetë në shitje vitin e ardhshëm.

Pjesë e programit “Sheroes” kanë qenë edhe regjisorja e nominuar për Oscar, Ava Duvernay dhe gjimnastja e artë nga Olimpiada, Gabby Douglas.

Share Button