Ban ki-moon:Fajtorët për situatën në Siri janë të shumtë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka akuzuar të gjitha grupet e përfshira në luftën civile të Sirisë për “dhunim flagrant” të ligjeve ndërkombëtare se nuk po lejojnë që në Siri të mbërrijnë ndihmat. Ban Ki Moon i kërkoi Këshillit të Sigurimit të nxitojë në implementimin e një rezolute të miratuar në muajin shkurt, nëpërmjet së cilës garantohej një akses më i madh për të siguruar ndihmë për popullsinë siriane. Në raportin e tij të dytë për Këshillin në lidhje me këtë rezolutë, Ban Ki Moon tha se rreth 3.5 milionë civilëve në Siri, po iu mohohen ndihmat jetike, mes të cilave ilaçe dhe kujdesi shëndetësor. Sipas aktivistëve, rreth 150 mijë persona kanë humbur jetën në Siri përgjatë 3 viteve të luftës civile, ndërsa miliona të tjerë kanë braktisur shtëpitë. Rezoluta e hartuar në muajin shkurt i bën thirrje të gjitha grupeve në Siri, të lejojnë kalimin e ndihmave, duke liruar të gjithë kufijtë. Një ditë më parë, shefja e seksionit humanitar nga Kombet e Bashkuara, Valerie Amos, tha për agjencinë “Reuters” se shpreson në një zgjidhje sa më të shpejtë politike në Siri, për ti dhënë fund këtij konflikti, pasi çdo ditë e më shumë po bëhet edhe më e vështirë për të marrë ndihma, në ushqime e medikamente. Britania, SHBA-të dhe Franca po konsiderojnë ndërmarrjen e disa sanksioneve ndaj qeverisë së presidentit Bashar Al Assad por që do të hasnin menjëherë në veton e Rusisë.

Share Button