Babai i vrasësit të Marvi Mihalit kërkon ndërmjetës: Situata mes familjeve është e nxehtë

Babai i Eugen Bitrajt, vrasësit të 22-vjeçarit Marvi Mihali pas një konflikti për një karikues celulari, ka folur sot për mediat nga Gjykata e Tiranës, ku i biri priste t’i jepej masa e sigurisë. Ai shoqërohej nga vëllai i tij, pasi edhe i nipi Dejvi Bitraj ndodhet para gjykatës si bashkëpunëtor në vrasje dhe nxitësi i konfliktit.

Ai deklaroi se situata mes dy familjeve ishte e nxehtë dhe se u nevojitej një mik, si ndërmjetës, që të qetësonte palët:

“I shpreh ngushëllimet familjes së 22-vjeçarit, – tha babai i Eugen Bitraj i prekur, para kamerave. –  Jemi në një situatë shumë të vështirë. Askush nuk do të donte të ishte prind i asnjërit në këtë situatë, as i djalit që humbi jetën e as të atyre që sot janë fajtorë. Jemi shumë të tronditur. Fëmijët kanë bërë një gjë shumë të keqe. Duhet të gjejmë forca të reagojmë pozitivisht.

Ne nuk kemi mundësi të takohemi me familjarët e viktimës. Situata është shumë e nxehtë. Jemi në kërkim të gjejmë një mik të përbashkët të qetësojmë situatën,” tha ai.

Share Button