Asambleja e KE-së miraton rezolutë kundër Rusisë

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar mbrëmë një rezolitë sipas të cilës dënon Rusinë për aneksimin e gadishullit Krimeja nga Ukraina.

Asambleja përmes rezolutës ka bërë me dije se Rusia nëpërmjet këtij veprimi ka shkelur kushtetutën e Ukrainës.

“Shkëputja nga Ukraina dhe aneksimi i Krimesë e bashkimi i këtij gadishulli me federatën Ruse, u inicua nga autoritetet ruse, nën mbulesën e ndërhyrjes ushtarake”- thuhet mes të tjerash në rezolutë.

Asnjë argument i përdorur nga Rusia për të arsyetuar veprimet e saj të muajve të fundit, sipas rezolutës, nuk qëndrojnë.

Ndërkaq rezoluta e njeh si legjitime qeverinë e re në Kiev, duke vlerësuar se ndryshimi i pushtetit ka hapur rrugë të reja për zhvillimin demokratik të Ukrainës.

Përfaqësuesi rus në Asamblenë Parlamentare të KE, Alexei Pushkov, e ka kundërshtuar rezolutën, ndërsa ka shtuar se kjo do ta nxisë Rusinë që urgjentisht të rishikojë politikën dhe parimet e saj të jashtme.

 

 

Share Button