Arrihet marrëveshja për Ukrainën

Diplomatët e SHBA, Bashkimit Europian, Rusisë dhe Ukrainës, arritën të dalin nga bisedimet e Gjenevës me një qëndrim të përbashkët: që Rusia ti japë fund tensioneve në Ukrainë. Njëri pas tjetrit, pas përfundimit të takimit disa orësh, në të njëjtin hotel në Gjenevë ku 5 vjet më parë sekretarja amerikane e shtetit në atë kohë Hillary Clinton e prezantoi Sergei Lavrov si një nga diplomatët më të mirë rus duke e prezantuar zyrtarisht edhe si ministër të jashtëm, zyrtarët e lartë thanë se është rënë dakord për hapat që do të ndiqen nga të gjitha palët për të shmangur krizën. Por tashmë mbetet për tu parë nësë vërtet do të mbetet gjithçka tek fjalët apo këto fjalë do të kthehen në veprime. Pas takimit, nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Barack Obama u shpreh i kënaqur që Moska u dakordua me të gjitha palët, duke cilësuar atë çelësin kyç të suksesit:“Rusët firmosën deklaratën e përbashkët dhe tani të gjitha pikëpyetjet tona do të marrin përgjigje, Moska do të na ndihmojë për këtë.” Marrëveshja e firmosur mes 4 liderve dje pasdite, përfshin çarmatimin e grupeve ilegale pro-ruse në lindje të Ukrainës por ministry i jashtëm rus Sergei Lavrov sërish këmbënguli se vendi i tij nuk ka lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit në Ukrainën Lindore. Ndërsa ministri i jashtëm i Ukrainës Andriy Deshchytsia, ishte më i hapur dhe i drejtpërdrejt në këto bisedime, duke shprehur dyshime për atë ç’ka do të mund të ndodhë më pas në terren ndaj dhe kërkoi që SHBA dhe BE, ta studojnë gjithcka me shumë kujdes. “Operacionet anti-terrorizëm ende po vijojnë në  Ukrainë, ndaj nuk mund të jemi qetë”. Pas bisedimeve që zgjatën për disa orë, pa praninë e mediave, presidenti amerikan Barack Obama zhvilloi menjëherë një telefonatë me kancelaren gjermane Angela Merkel. Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, të dy liderët ndanë bindjen se SHBA dhe e gjithë Europa duhet të përgatiten për më shumë masa kundër Moskës, nëse situate në terren në lindje të Ukrainës mbetet e pasigurtë. Të dy liderët i kanë bërë të qartë vazhdimisht Rusisë, se do të përballet me sanksione më të ashpra e konkrete, nëse nuk do të tërheqë trupat e armatisura nga Ukraina.

Share Button