Arrestohet ekuipazhi i tragetit Korean

Pesëmbëdhjetë pjesëtarët e përfshirë në lundrimin e tragetit fatkeq të pasagjerëve Sevol në Korenë e Jugut janë arrestuar dhe ata tashmë përmballen me akuza për neglizhencë kriminale.  Prokuroria po ashtu ka kërkuar mandate arresti për katër pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit, ndërkohë që 11 të tjerë, përfshirë dhe kapitenin, ishte arrestuar disa ditë më parë.  Urdhër-arrestet e fundit u lëshuan për dy timonierë dhe dy asistentë të tyre, ka njoftuar agjencia ndërkombëtare e lajmeve ”Associated Press”.  Prokurori Jang Jung Jin, nga grupi i posaçëm hetimor, deklaroi se personat në fjalë u vunë në pranga në orët e vona të së premtes. Ai bëri me dije se mbi të arrestuarit rëndon edhe akuza për dështimin e dhënies së ndihmës pasagjerëve. Ndërkohë, polumbarët që po kërkojnë për të tjera viktima në tragetin e mbytur kanë gjetur 48 trupa të tjerë në një dhomë të vetme të tij, që mund të akomodonte vetëm 38 persona, bëjnë me dije zyrtarët. Grupi ishte dyndur në një dhomë fjetjeje dhe të gjithë kishin veshur jelekë shpëtimi, tha një oficer i Marinës së Koresë së Jugut. Rreth 183 trupa janë nxjerrë deri më tani nga trageti Sevol, por me dhjetra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, dhe ata supozohen se janë mbytur. Zyrtari në krye të operacioneve tha gjatë së premtes se nuk ka ”asnjë ide” se sa mund të zgjasin kërkimet nën ujërat detare. Të afërmit e zemëruar të viktimave kanë kritikuar në mënyrë të përsëritur shpejtësinë me të cilën po veprojnë operacionet e gjetjes së trupave.

Mediat koreano-jugore kanë bërë me dije se kabinat e fjetjes së anijes ishin ndryshuar në vitet 2012-2013, gjë e cila, sipas ekspertëve, mund të ketë ndikuar ekuilibrin e mjetit lundrues. Trageti me 476 persona në bord, pjesa më e madhe e të cilëve adoleshentë, nxënës të një shkolle të mesme, u fundos në afërsi të brigjeve të Koresë së Jugut më 16 prill. Trageti fillimisht u anua dhe pastaj u fundos dy orë mbas dhënies së sinjalit të evakuimit, ndërkohë që gjithsej janë shpëtuar vetëm 174 pasagjerë.

Share Button