Arrestohen skafistët që drejtonin varkën e mbytur në Mesdhe

Dy skafistët që drejtonin varkën e nisur nga Libia që u mbyt ditën e diel, duke u marrë jetën qindra emigrantëve, janë arrestuar nga policia italiane. Dy personat në fjalë, të arrestuar nën akuzën e trafikimit të qënieve njerëzore, janë mes 27 atyre të mbijetuar që arritën brigjet e Siçilisë ditën e hënë. Ministri italian i Infrastrukturës, Graziano Delrio deklaroi se prokurori i Katanias, Giovanni Salvi, urdhëroi arrestimin e dy skafistëve që kishin mbërritur në port në bordin e një anijeje të rojës bregdetare.

Hetuesit thanë se dy skafistët ishin kapiteni Tunizian dhe bashkëpunëtori i tij sirian, ndërkohë që për të gjithë tragjedinë po zhvillohet një hetim penal. “Policia ka bërë arrestimin e dy të dyshuarve këtë mbrëmje, gjë që tregon se drejtësia italiane po funksionon”, tha ministri Delrio për gazetarët në Katania. Arrestimet vijnë pasi BE njoftoi një paketë masash në përpjekje për lehtësimin e krizës që ka përfshirë Mesdheun. Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë, ndërsa do të ndërmerret një fushatë për shkatërrimin e varkave të trafikantëve. Ndërkohë, pasi folën me të mbijetuarit, përfaqësues të agjencisë së OKB-së për refugjatët deklaruan se rreth 800 persona humbën jetën në tragjedinë e së dielës. Më herët bilanci ishte për 700 të vdekur.

Share Button