Arnoud van Doorn: Mediat dhe politikanët, shkaktarë të rritjes së islamofobisë

Politikani musliman holandez Arnoud van Doorn, tha se shkaku më i madh për rritjen e konsiderueshme të intolerancës, islamofobisë dhe të ksenofobisë në vitet e fundit janë mediat dhe politikanët, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi u largua në vitin 2011 nga Partia e Lirisë (PVV) e cila është parti e krahut të djatht ekstrem kundër Islamit dhe të huajve që doli e dyta në zgjedhjet e mbajtura më 15 mars në Holandë, Arnoud van Doorn ka pranuar Islamin dhe punon si Anëtar i Këshillit të Qytetit Hagës për Partinë e Unitetit. Ai ka bërë një vlerësim për gazetarin e AA-së në lidhje me procesin e pranimit të Islamit, procesin e zgjedhjeve dhe në lidhje me të ardhmen e muslimanëve.

Duke vënë në dukje se në kohën kur ishte me detyrë në partinë PVV, Islami shihej si një kërcënim për Holandën dhe Evropën, Doorn tha: “Kur ndodhesha tek PVV nga padituria ime kujtoja se bëja diçka të mirë me veprimet kundër Islamit por më pas kërkova të informohesha më shumë për arsyen se kisha disa pikëpyetje në kokën time rreth Islamit. Nga njerëzit në xhami mora informacione rreth Islamit dhe lexova Kuran. Gjatë kësaj periudhe përkundër mendimeve të mëparshme mësova se Islami ishte plot paqe dhe një fe e bukur dhe kjo ndikoi shumë tek unë dhe në vitin 2012 u bëra musliman”.

Van Doorn tha se rezultatet e zgjedhjeve në Holandë nuk janë surprizë. “Në vitet e fundit, intoleranca, islamofobia dhe ksenofobia janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Bashkë me këtë në mesin e shoqërisë ka një polarizim të madh. Sipas mendimit tim shkaku më i madh i kësaj janë mediat dhe politikanët. Faktikisht vërejmë se shumica e partive politike në Parlamentin e Përfaqësuesve janë kundër Islamit dhe kjo është një situatë shqetësuese”, tha ai.

Ndërsa në vlerësimin në lidhje me të ardhmen e muslimanëve në Holandë van Doorn u shpreh: “Kur shohim vendime të tilla si ndalesa e mbulesë së shamisë, apo ndalimi i ezanit është e qartë se liria e muslimanëve duket se do të jetë nën presion edhe më shumë. Për shkak se politika me rezultatin e zgjedhjeve do të zhvendoset edhe më tepër tek e djathta ekstreme tregon se situata nuk duket pozitive në afat të shkurtër për muslimanët të cilët aktualisht ndodhen nën presion”.

Arnoud van Doorn, i cili pasi u largua nga PVV dhe pas kërkimeve të kryera pranoi fenë islame në vitin 2012, u bën thirrje për unitet institucioneve islame në Holandë. Doorn i cili punon edhe si Anëtar i Këshillit të Qytetit Hagës, në të njëjtën kohë ai punon edhe në një institucion që zhvillon aktivitete sociale për të rinjtë.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 mars në Holandë fitoi partia VVD nën udhëheqjen e kryeministrit Mark Rutte duke marrë 33 deputetë. Ndërsa partia e të djathtës ekstreme PVV në udhëheqjen e Geert Wilders u radhit e dyta me 20 deputetë.

Share Button