Arabia Saudite do të rrisë kontingjentin për Haxh dhe Umre

Arabia Saudite synon që deri në vitin 2030 të rrisë në 30 milionë kontingjentin për Haxh dhe Umre.

Zëvendëskryetari i Autoritetit Gjeneral për Investime të Arabisë Saudite (SAIGA), Fajsal Basarat, ka thënë se qeveria e Arabisë Sauditë synon që deri në vitin 2030 të rrisë në 30 milionë kontingjentin për Haxh dhe Umre, raporton Anadolu Agency (AA).

Basarat, i cili ndodhet në Indonezi së bashku me mbretin e Arabisë Saudite Selman Abdluaziz al-Saud në kuadër të vizitës zyrtare, ka marrë pjesë në Forumin Afarist Indonezi-Arabi Saudite që u mbajt në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta.

Gjatë fjalës së tij, Basarat tha se qeveria e Arabisë Saudite është duke zhvilluar punime për rritjen e kontingjentit për Haxh dhe Umre. “Çdo vit, Haxhin dhe Umren e kryejnë tetë milionë njerëz. Synojmë që këtë kontingjent të rrisim në 30 milionë në vitin 2030”, potencoi Basarat.

Ndryshe, javën e kaluar autoritetet saudite njoftuan se punimet për zgjerimin e vendeve të shenjta në Mekë janë afruar kah fundi, duke informuar më tej se punimet në disa zona kanë përfunduar në tërësi dhe për këtë arsye këtë vit do të rrisin kuotën e haxhit.

Share Button