Apple prezantoi iPhone 8 dhe iPhone X

Gjiganti teknologjik Apple prezantoi tre iPhone të ri të martën, duke përfshirë edhe iPhone X pa buton, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë që u mbajt në Apple Park, qendrën e re administrative të Apple në California, shefi ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, zbuloi së pari iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus, versionet e rinj të telefonit të mençur legjendar. Duke theksuar para audiencës se kishte “edhe një gjë tjetër”, Cook njoftoi lançimin e iPhone X, i shqiptuar dhjetë, që nuk ka butona dhe një ekran që shtrihet nga fundi në fund.

“Gjatë dekadës së fundit, ne kemi avancuar me inovacion pas inovacioni, duke ardhur në këtë moment, kur ne mund të krijojmë pajisje që janë shumë më inteligjente, shumë më të afta dhe shumë më krijuese se kurrë më parë,” tha Cook para shpalljes përfundimtare.

Me një çmim fillestar prej 999 dollarësh për një version 64 gigabajt, iPhone X është iPhone-i më i shtrenjtë ndonjëherë.

I mbuluar me qelq edhe në pjesën e pasme, si dhe një kornizë të çeliktë, iPhone X është rezistent ndaj pluhurit dhe ujit. Ai gjithashtu ka aftësitë më të mira të ekranit se çdo iPhone, atë që kompania po e quan “super retinë”.

Në vend të përdorimit të gishtit për të identifikuar pronarin, përdoruesit e iPhone X mund të zhbllokojnë telefonat e tyre përmes softuerit të njohjes së fytyrës, tipar ky i quajtur “Face ID”.

“Për më shumë se një dekadë, qëllimi ynë ka qenë krijimi i një iPhone-i që është i tëri ekran,” tha shefi i dizajnit i Apple, Jony Ive, në një deklaratë. “IPhone X është realizimi i atij vizioni”, shtoi ai.

Në thelb, iPhone 8 është i ngjashëm me iPhone 7, por me procesorë, bateri dhe kamera më të mirë.

Kompania gjithashtu njoftoi lëshimin e serisë së tretë të Apple Watch, orës së mençur, dhe versionin e ri të sistemit të video-transmetimit, Apple TV.

IPhone 8 dhe 8 Plus do të jenë në dispozicion në 27 shtete me 22 shtator, ndërsa porositë fillojnë më 15 shtator. IPhone X do të jetë në dispozicion në më shumë se 50 vende më 3 nëntor, ndërsa porositë do të fillojnë më 27 tetor.

Share Button