“Amnesty International”: Mbi 200 civilë të vrarë në Siri nga sulmet ruse

“Amnesty International” ka publikuar së fundmi një raport në lidhje me sulmet ajrore ruse mbi territorin sirian, ku thuhet se mbi 200 civilë kanë mbetur të vrarë që prej 30 shtatorit e deri më 29 nëntor. Në raport citohen dëshmitarë dhe aktivistë.

Amnesty thotë se që prej nisjes së sulmeve në territorin e Sirisë, Rusia ka shkelur disa herë ligjin humanitar ndërkombëtar.

Ndërkohë, në anën tjetër Moska e ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka shkaktuar viktima mes civilëve në Siri, duke i përshkruar pretendime të tilla si pjesë e “luftës së informacionit”.

Në raport, “Amnesty International” ka përfshirë sulmet ruse në provincat e Homs, Hama, Idlib, Latakia dhe Aleppo.

Ata kanë pyetur dëshmitarë me anë të telefonit ose internetit, mes të cilëve ka mjekë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Përveç kësaj, grupi ka shqyrtuar edhe imazhet audiovizuale në lidhje me sulmet.

Deri tani ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga ana e Rusisë mbi këtë raport të fundit.

 

Share Button