Amnesty International: Arakani gjendet pranë katastrofës humanitare

Moslejimi i ndihmave humanitare nga qeveria e Mianmarit në shtetin e Arakanit vë në rrezik jetën e dhjetëra mijëra muslimanëve në këtë rajon, ka theksuar Amnesty International, organizatë joqeveritare ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Arakani gjendet në prag të një krize humanitare. Nuk mund të legjitimohen pengesat ndaj ndihmave humanitare që kanë rëndësi jetike për njerëzit e pashpresë. Duke penguar qasjen e organizatave humanitare në rajon, qeveria e Mianmarit vë në rrezik jetën e dhjetëra mijëra njerëzve dhe shpërfill në mënyrë të ashpër jetën e njeriut”, ka thënë Tirana Hassan, drejtuese e Programit për Menaxhimin e Krizave pranë organizatës.
“Qeveria sa më parë duhet të ndryshojë kahun dhe të sigurojë qasjen e plotë dhe të lirë të ndihmave të organizatave humanitare për nevojtarët”, ka porositur Hassan.

Hassan ka theksuar se ushtria e Mianmarit ka përdorur forcë joproporcionale në Arakan, duke cilësuar se dhuna ndaj muslimanëve të vendit ndodh për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare të tyre dhe se e njëjta duhet të ndalojë sa më parë.
Ajo po ashtu ka nënvizuar nevojën që qeveria e Mianmarit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të mos bëjë dallim mes njerëzve që jetojnë në Arakan.

Në vend të kësaj, zyrtarët e Mianmarit kanë zgjedhur të sillen si një armik i cili mund ta sulmojë popullatën (muslimane të Arakanit), t’i vrasë dhe t’i dëbojë nga shtëpitë”, ka thënë Hassan, duke i quajtur si të paqena dhe të papërgjegjshme pretendimet e qeverisë së Mianmarit se organizatat humanitare ndërkombëtare mbështesin “aktorët e armatosur” në Arakan.

“Teksa punonjësit humanitarë prej vitesh mbështesin popullin e Mianmarit duke ofruar ndihma humanitare, qeveria asnjëherë nuk arriti ta bëjë këtë. Zyrtarët e Mianmarit sa më parë duhet të pushojë së shpërndari informacione të rreme dhe së hedhuri akuza të pabaza dhe provokative”, ka shtuar ajo.

Share Button