Ambasadorja e BE-së u del në mbrojtje gazetarëve: Rrogat 300 € në muaj dhe pushohen me një sms

Në kulmin e debatit për mediat dhe gazetarët, vjen reagimi nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. E pranishme në takimin ‘Ditët mediatike të Ballkanit perëndimor’, kjo e fundit theksoi se nevojitet vetërregullim për mediat.

Teksa u ndal tek praktikat editoriale, ambasadorja tha se për çështje politike ka 40 kamera, ndërsa për sociale 2 të tilla. Mes të tjerash ajo solli në vëmendje edhe pagat e gazetarëve, ndërsa theksoi se ata punojnë për 300 euro në muaj dhe pushohen nga puna me një me mesazh.

“Ne e shohim veten si partnerë. Duhet të punojmë me njeri-tjetrin dhe ta ndihmojmë mediat. Nëse ka çështje publike ka të paktën 40 kamera, dhe nëse ka çështje sociale, ka dy kamera e dy gazetarë. Kjo tregon praktika editoriale. Ka me qindra portale e gazeta dhe televizione.
Dhe është shumë e vështirë për ne të navigojmë për të vërteten në media. Ka dy shtylla. Rregullat dhe vlerat. Duhet vetërregullim i mediave. Është shumë e vështirë të jesh gazetar me 300 euro në muaj dhe që mund të pushohesh me një mesazh. Por duhet të kemi parasysh që jo çdo njeri që flet është një gazetar dhe jo çdo hapësirë është një media. Duhet të ndahet kjo gjë. Duhet patjetër një mbështetje financiare. Janë tregje shumë të vogla që nuk mund të vetërregullihen, dhe është e rëndësishme që ne si BE duhet të investojmë. Kjo do të nxiste konkurrencë e ndershme dhe do të edukonte brezat e ardhshëm”, tha Vlahutin.

Share Button