Alepo: Sulmohen karvanët, pezullohet evakuimi

Operacionet e evakuimit të mijëra civilëve dhe luftëtarëve nga lagjet e fundit rebele të Alepos, janë pezulluar përkohësisht nga forcat e regjimit. Lajmi u njoftua nga një burim i sigurisë siriane, duke shpjeguar që bllokimi ishte i nevojshëm pasi disa karvanë janë sulmuar nga vetë milicitë e regjimit të Bashar Al Asadit.

Pas pezullimit të operacioneve të evakuimit, palët kanë nisur të akuzojnë njëra-tjetrën për prishje të armëpushimit. Sipas asaj që raporton televizioni arab “Al Jazeera”, burime pranë rebelëve pohojnë se ata që kanë hapur zjarr kanë qenë milicitë shiite iraniane, aleate të qeverisë së Asadit. Nga ana tjetër, televizioni shtetëror i Damaskut, thekson se ata që qëlluan të parët kanë qenë rebelët.

Televizionet siriane kanë akuzuar luftëtarët se kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit në Alepo dhe në këtë aspekt, kanë shkaktuar pezullimin e evakuimit të civilëve në pjesën lindore të qytetit. Sipas televizioneve, ka pasur të shtëna dhe përleshje në zonën me militantë të cilësuar si “terroristë”, që duket se kanë marrë edhe disa persona peng. Ndërkohë, sipas Moskës, është plotësuar evakuimi në Alepon Lindore. Sipas rusëve, janë shpërngulur nga Alepo më shumë se 4.500 rebelë dhe 337 të plagosur. Gjatë operacionit nga lagjet perëndimore të kryeqytetit ekonomik sirian, janë larguar më shumë se 9.5 milionë persona që nga nisja e konfliktit të luftës në vitin 2011. Ndërkohë që është nisur dhe karvani i fundit me tetë autobusë jeshilë, që ka lënë Alepon Lindore. Burime të tjera, mes të cilave Kryqi i Kuq, thonë se evakuimi është ndërprerë.

Share Button