AL-Uthejmin: Mbrojtja e trashëgimisë islame fakton të vërtetën se Islami është fe e paqes

Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe Franca organizuan një forum të përbashkët mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjen e saj në vendet anëtare të OBI-së. Në këtë forum kulturor të mbajtur në rezidencën qëndrore të sekretariatit të organizatës islame, përgjatë dy ditëve, 14-15 maj 2017, u apelua për domosdoshmërinë e marrjes në mbrojtje të trashëgimisë kulturore si pjesë e rëndësishme e identitetit human.

Sekretari i përgjithshëm i OBI-së, Bin Ahmed Al-Uthejmin, në mesazhin e tij drejtuar këtij forumi, shprehej se organizata që ai drejton po punon fort për forcimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet anëtare dhe organizmat e interesuara, Francën dhe institucionet ndërkombëtare përkatëse, si UNESCO, me qëllim të ndërtimit dhe implementimit të planeve operacionale konkrete për të shpëtuar trashëgiminë kulturore islame dhe vlerat e saj, qoftë si trashëgimi fizike qoftë jo materiale.

Al-Uthejmin, tha se ruajtja e trashëgimisë islame është jetike, pasi ajo nuk lejon keqinterpretimet mbi Islamin si dhe pengon prishjen e imazhit të tij dhe synimet për ta lidhur këtë fe hyjnore tolerante me akte të dhunës, urrejtjes dhe ekstremizmit.
Ndër të tjera, në sesione të vecanta të punimeve të forumit kulturor u prezantuan edhe përpjeket konkrete të ndërmarra nga Arabia Saudite për të mbrojtur trashëgiminë kulturore si dhe angazhimi qytetar në mbrojtje të objekteve kulturore islame.

Vlen të përmendet se ky forum mbahet në momente delikate për trashëgiminë islame, ku territore e shtete të tëra ku ajo prezantohet fuqishëm me objekte, artifakte e monumente, po përballohen me konflikte e luftra shkatërruese. Forumi kulturor i paraprin një eventi të rëndësishëm ndërkombëtar në lidhje me trashëgiminë, që pritet të organizohet nëntorin e ardhëm nga ISESCO DHE IRCICA, dy organizatat kryesore kulturore të botës islame.

Share Button