Aktori George Clooney dhe gruaja e tij shkollojnë mbi 3000 refugjatë sirian

Aktori George dhe gruaja e tij Amal Clooney do të japin kontributin e tyre për mijëra refugjatë sirianë që të mund të shkollohen.

Organizata e çiftit të famshëm, “Clooney Foundation for Justice” është bashkuar në partneritetin me “UNICEF”-in dhe “Google” për të ofruar plot 2.25 milionë dollarë për 7 shkolla publike në Liban.

Gjiganti i kompjuterave “HP” do të shtojë nga ana e tij një shumë prej një milion dollarësh, për t’i pajisur ato me sistemet më të fundit teknologjike.

Fondacioni vet nuk ka hapur ndonjë shkollë të re, por në vend të kësaj, paratë do të shkojnë drejt zgjatjes së orareve të studimit, në mënyrë që fëmijët e refugjatëve të mund të shkojnë në klasat e tyre gjatë pasditeve. Regjistrimet do të nisin nga muaji shtator.

Shkollat publike në Liban, në të cilat mësojnë refugjatët sirianë, operojnë me sistem dy turnesh, ka thënë zëdhënësja e “UNICEF”-it, Lauren Davitt për CNN-in. Studentët libanezë shkojnë në shkollë në mëngjes, e më pas, pasditeve nisin mësimin fëmijët e refugjatëve. Ndihma do t’u mundësojë shkollave që kanë hapësira të kufizuara fizike, që të mund të dyfishojnë kapacitetet e tyre.

Mbështetja nga fondacioni i çiftit Clooney do të mbulojë koston për arsimimin e 3.000 fëmijëve sirianë, përfshi tarifat e regjistrimit, pagat e mësuesve për turnin e dytë, si dhe për tekstet shkollore, shtoi më tej Davitt.

“Mijëra të rinj refugjatë sirianë janë në rrezik. Në rrezikun që të mos bëhen kurrë pjesë produktive e shoqërisë”, thanë bashkëshortët George e Amal gjatë publikimit të këtij lajmi gjatë së hënës. “Edukimi i tyre do të ndihmojë të ndryshohet kjo gjë. Ky është objektivi ynë përmes kësaj nisme. Nuk duam që të humbasim një brez të tërë, vetëm e vetëm pse ata janë fatkeqë që kanë lindur në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar”.

Në mbarë botën janë mbi 5 milionë refugjatë sirianë, ndërsa vetëm në Liban janë mbi një milion, sipas “UNHCR”-së. Rreth 200 mijë fëmijë refugjatë sirianë në Liban nuk shkojnë fare në shkollë.

George dhe Amal Clooney, kjo e fundit një avokate e të drejtave të njeriut, e krijuan fondacionin në vitin 2016. Organizata synon “të përmirësojë drejtësinë në sallat e gjyqit, në komunitete dhe nëpër shkolla anembanë botës”, sipas faqes zyrtare të fondacionit.

Share Button