Aktivizimi i vullkanit Agung në ishullin Bali dëmton turizmin

Si pasojë e aktivizimit të vullkanit Agung në Indonezi, parashihet se do të ketë 665 milionë dollarë humbje në të ardhurat e turizmit në Bali, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Turizmit të Indonezisë, Arif Jahja, njoftoi se për shkak të alarmit për vullkanin Agung në kohën e sezonit, deri në fund të vitit pritet që rreth një milion turistë të huaj të anulojnë udhëtimet e tyre në rajonin e njohur turistik në Bali.

Duke vënë në dukje se Ishulli Bali, sidomos mes muajve gusht-dhjetor vizitohet nga rreth 15 mijë vizitorë në ditë, Jahja tha se me anulimet që priten të bëhen deri në fund të vitit, parashikojnë se do të ketë një humbje prej 665 milionë dollarësh në të ardhurat e turizmit.

Zyrtarët njoftojnë se gjendja alarmante për shkak të rrezikut të një shpërthimi të madh mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Pasi vullkani Agung në fillim të javës kishte filluar të hedh sasi të mëdha të hirit, në Bali ishte shpallur shkalla më e lartë e paralajmërimit, kurse dhjetëra mijëra turistë kishin pësuar për shkak të anulimit të fluturimeve.

Ministria e Turizmit kishte njoftuar se do të ofrohet strehim falas për turistët që kanë pësuar nga ky vendim dhe se ata të cilët do të kenë probleme me viza, do t’iu zgjatet përkohësisht afati i vizave. Bali vitin e kaluar u vizitua nga rreth 4,5 milionë turistë të vendeve të ndryshme duke filluar nga Australia, Kina, Japonia, Britania e Madhe dhe India.

Share Button