Aksidentoi për vdekje policin, rrëfehet djali i ish-deputetit

“Po vija nga Shkodra në Tiranë dhe nuk e pashë makinën e policisë”. Kështu shprehet Arnold Kola, djali 22-vjecar i ish-deputetit Ndue Kola, protagonist i aksidentit që i mori jetën një polici mbrëmjen e së dielës.

I riu nën efektin e alkoolit përplasi furgonin e policisë që po patrullonte në Kamzë, duke i marrë jetën policit Ervin Haxhia si dhe plagosi dy efektivë të tjerë, të komisariatit numër 5, në Tiranë.

“Parakalova dy makina në krahun e djathtë. Pashë që kisha një mjet, por nuk e kuptova cfarë ishte. Nuk e pashë makinën e Policisë”,- tha Arnoldi mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 shtatorit.

Më pas Kola, tregon se tentoi të futej në krahun e majtë, por nuk ia arriti. Këto sekonda ku i riu nuk arriti të veprojë rezultuan fatale. Makina e tij tip ‘Lexus” i ra nga pas me fuqi furgonit të policisë që ishte në lëvizje në zonën e Kamzës, pranë shkollës, ‘Ibrahim Rugova’.

22-vjeçari është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste Ndue Kola të qarkut Shkodër i zgjedhur në vitin 2009. Mbrëmjen e aksidentit, Kola udhëtonte më 140km/h. Nga hetimet konstatohet se shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia jashtë normave të lejuara dhe gjendja e dehur e 22-vjeçarit gjatë kohës që drejtonte automjetin.

Share Button