Aksidentet, 30 fëmijë kanë humbur jetën gjatë 20 muajve të fundit

Aksidentet rrugore çdo ditë vijojnë të marrin jetë të moshave të ndryshme, çka është bërë një problem kryesor në vendin tonë. Pas një aksidenti të frikshëm që ndodhi dy ditë më parë në Kamëz, ku një 15-vjeçar humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur, Policia e Shtetit jep shifra të frikshme të viktimave përgjatë një viti e 8 muaj. 30 fëmijë kanë humbur jetën që nga janari i vitit të kaluar. Ky bilanc tragjik ka shtuar kontrollet e Policisë Rrugore për vendosjen e rripit të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit për fëmijët që transportohen në mjete. Sipas burimeve zyrtare, gjatë kësaj kohe, aksidentet rrugore kanë rezultuar fatale kryesisht për fëmijët.

Sipas Policisë, që nga data 1 Janar e vitit 2016 e deri në 31 gusht të këtij viti kanë ndodhur 366 aksidente me përfshirjen e fëmijëve të moshës 0 vjeç deri 15 vjeç dhe pasojat janë: 30 fëmijë të vdekur; 64 të plagosur rëndë; 272 të plagosur lehtë. Por cilat janë arsyet e këtyre shifrave të frikshme, që përgjakin rrugët e vendit në çdo ditë të vitit. Sipas burimeve në Policinë Rrugore, është pakujdesia që tregohet gjatë drejtimit të mjetit, arsyeja që shënon numrin më të lartë të aksidenteve, edhe me pasojë vdekjen e fëmijëve, por jo vetëm.

Aksioni për parandalim

Policia rrugore vazhdon aksionin e kontrolleve duke kaluar në sitë të gjithë drejtuesit e mjeteve për vendosjen e rripit të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit për fëmijët që transportohen në mjete. Gjatë javës që lamë pas, kontrollet kanë qenë të përqendruara në oraret 09:00-11:00 dhe 17:00-20:00, që korrespondon edhe dërgimin dhe kthimin e fëmijëve nga shkolla. Nga të dhënat e policisë, janë kontrolluar gjithsej 18,230 mjete në të gjithë akset rrugore dhe zonat urbane. Për shkeljet e konstatuara ka pasur edhe ndëshkime.

Janë gjobitur 2170 drejtues për mosvendosje rripi sigurimi, ndërsa janë pezulluar 36 leje drejtimi për transport të parregullt fëmijësh. Plani operacioni i koduar “TISPOL–SHTATOR 2017”, Policia e Shtetit vjen në koordinim me shërbimet e Policive Rrugore të vendeve të BE-së në kuadër të “Operacioneve Tispol”, të rekomanduara nëpërmjet Misionit “PAMECA V në Tiranë”. Qëllimi i këtij operacioni është ndërgjegjësimi dhe edukimi i drejtuesve të mjeteve për të rritur shkallën e përdorimit të rripit të sigurimit dhe të sediljeve të posaçme për transportin e fëmijëve.

Aksidenti në Kamëz ku vdiq një i mitur

I mituri i cili shkaktoi aksidentin tragjik ditën e diel në zonën e Kamzës me një të vdekur dhe tre të plagosur, ia kishte marrë makinën të atit pa leje. Mësohet se 15-vjeçari E. P., i kishte marrë çelësat e makinës tip “Benz” të të atit, pa u pikasur dhe kishte dalë fshehurazi nga shtëpia. Pasi ishte nisur me makinë, ai kishte marrë me vete dhe tre shokët e tij, me gjasë për t’u krenuar mes tyre, pa e ditur se ai largim do i merrte jetën njërit prej tyre. Teksa shëtisnin në rrugët dytësore të Kamzës, ndodhi gjëma, përplasja me pasojë një të vdekur.

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 15:25 të së dielës, ku 15-vjeçari humbi kontrollin mbi makinën që shihni në fotografi, duke u përplasur me një shtyllë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Donald Tramp”, ku drejtuesi i mjetit E. P., 15 vjeç, humbi kontrollin dhe nga përplasja e fuqishme mjeti u shkatërrua i gjithi. Si pasojë e përplasjes mbetën të plagosur dhe tre shokët e tij, E. B., 11 vjeç, K. T., 16 vjeç dhe K. C., rreth 15 vjeç, të tre pasagjer në mjetin tip “Benz” dhe vetë ai. Por si pasojë e dëmtimeve të marra pasagjeri K. C., 15 vjeç, ndërroi jetë rrugës për në spital.

Durrës

Një aksident me pasojë një person të vdekur është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:45, tek kthesa e Manzës. Dëshmitarë në vendngjarje pohuan se një mjet tip “Ford” me drejtues shtetasin D. F., është përplasur me një motoçikletë me drejtues shtetasin Sh. Gj., 60 vjeç, banues në Radë.

Si pasojë e përplasjes së mjeteve, fatkeqësisht ka ndërruar jetë në vend, drejtuesi i motoçikletës Sh. Gj. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes njoftoi se ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit tip “Ford” për t’u pyetur mbi aksidentin. Edhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit ku gjeti vdekjen 60-vjeçari. Nga Xhentila Gjoshi

Share Button