Agron Bala, zëri i lirisë në median shqiptare

Agron Vehbi Bala ka lindur në Tiranë, më 11 prill 1957. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitet 1976-1981, në Fakultetin e Shkencave Humane, dega gjuhë-letërsi. Po pranë këtij universiteti, në vitet 1983-1984, ka ndjekur një kurs gazetarie. Më pas, në vitet 1991-1992 ka ndjekur Institutin Superior të Studimeve për gjuhë frënge  Universitetin PAU, që është ndër universitetet më të mëdha të Francës. Ai ishte njohës i mirë i gjuhëve frënge dhe italiane.

Agron Bala pati një karrierë të pasur profesionale. Në vitet 1981-1993 ka qenë gazetar, redaktor dhe skenarist i 50 dokumentarëve televizive në Radio-Televizionin  Publik Shqiptar. Në vitet 1993-1997 ka qenë punonjës i informacionit dhe shtypit pranë delegacionit të Bashkimit Europian, Tiranë. Në vitet  97-2001 ka themeluar dhe drejtuar radio Kontaktin, që njihet edhe si radio e parë private në Tiranë. Ka qenë gazetar dhe drejtues programi në Tv Shijak. Editorialist në disa gazeta të përditshme prej vitit 1996 deri në viti 2003. Në vitin 2003 zgjidhet nga parlamenti: anëtar i këshillit drejtues të TVSH-së.

 Në vitin 2001, ka botuar librin publicistik “Kohë zhurmuesish”, por njëherësh është edhe autor i dy romaneve. Prej vitit 2004, punoi si pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan, Fakulteti i Shkencave Sociale, dega Gazetari.

Është skenarist  i mbi 200 filmave dokumentarë dhe programeve të përgatitura nën siglën e RTSH-së. Ndër to përmendim dokumentarin për Luigj Gurakuqin, Vaso Pashën, Hoxha Tahsinin, Mihal Gramenon, Shote Galicën etj. Së fundmi, prej vitit 2006, ai implementoi një format unik televiz, pikërisht programin “7 x 7”.

Prej një periudhe 26-vjeçare  nga viti 1990-2016 ka botuar mbi 300 artikuj dhe studime në shtypin e përditshëm.

 

Një humbje e madhe dhe pikëllim i thellë për familjen, miqtë, kolegët, studentët si dhe për botën mediatike e intelektuale shqiptare. I njohur jo vetëm si gazetar, Agron Bala ka patur një karrierë të pasur në televizion si skenarist, autor programi, pedagog dhe shkrimtar.

Si homazh për kontributin e tij në ngritjen e shtypit të lire, si dhe radiotelevizioneve, po përcjellim një intervistë të rrallë dhënë për radio Kontaktin, radio të cilën ai e krijoi dhe e ngriti me aq dashuri e profesionalizëm. Në këtë intervistë, ai flet jo vetëm për peripecitë dhe sfidat nëpër të cilat jetësoi ëndrrën e vet të krijimit të një radioje private, por rrëfen edhe detaje për jetën familjare, dobësinë e tij të madhe për vajzën e vetme Jonën, si dhe organizimin e kohës së lirë.
Zëri i tij do të kumbojë fuqishëm, sepse ai la gjurmë të ndritshme në historinë e gazetarisë shqiptare.

 

Si ju lindi ideja të themelonit një radio?

Në fakt ideja ka qenë e hershme, por realisht deri në vitin ‘96, nuk kishte një ligj i cili të lejonte hapjen e një medieje elektronike private. Pas trazirave të ’97, ku nuk pyetej askund për ligj, tashmë as në krijimin e mediave elektronike shqiptare, pas disa inisiativave të ndërmarra nga operatorë të fuqishëm të asaj kohe të shtypit të shkruar, u hap radio Kontakti, në shtator 1997.

Ëndrra e çdo gazetari besoj është që të ketë një media të vetën dhe unë nuk kam bërë përjashtim nga kjo. Media elektronike kërkon dhe shumë para, jo vetëm ide e ëndrra. Të njëjtën ide e kishte edhe shoku im, Riza Rusi, i cili u vra një vit pas ngritjes së radios. Ai iu bashkangjit kësaj ëndrre, bleu dhe aparaturat. Megjithatë, dua se radio Kontakti ka pasur menjëherë sukses për publikun. Tani, a ndodhi sepse ëndrra jonë ishte e bukur, apo patëm shansin të kemi në radhët tona që në fillim njerëzit më të shquar të gazetarisë, kjo mbetet të diskutohet si çështje.

Pse e quajtët radio Kontakt?

Sepse koncepti im ishte që kjo radio duhej të ishte një mjet për t’u kontaktuar njerëzit. Në fakt, mediat janë disi të shkëputura nga njerëzit edhe pse punojnë për audiencën, punojnë në një sens që audienca të sigurohet për të siguruar para. Ndërkohë unë e kisha konceptuar që kjo radio, me pak para, mund të siguronte audiencë vetem duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Vetë radio ka qenë sipas konceptit tim, që në çdo rast të ishte një debat i hapur mes gazetarëve , të ftuarve në studio dhe publikut. Të mos  harrojmë që kemi pasur 500 telefonata në ditë që është shifër rekord për audiencën dhe për vende që janë shumë herë më të mëdha se Shqipëria. Kjo ilustron, pikërisht, këtë që thashë, sepse u konceptua si kontakt me publikun. Publiku e ruajti mirë këtë kontakt dhe e vazhdoi atë.

Ne nuk kemi pasur reklama për dy arsye, e para sepse politikisht nuk ishim me të njëjtat valë me pushtetin e asaj kohe dhe së dyti, akoma nuk ishte bërë kultura e reklamimit në radio. Detyrimisht na mungonin tërësisht mjetet financiare për të mbijetuar, por në sajë të këtij kontakti me publikun, nuk na ka lënë publiku që të mbylleshim si radio dhe vinte e dorëzonte para që kjo radio të vazhdonte kontaktin me ta.  Emri i kësaj radio ngjiti shumë mirë dhe fatmirësisht vazhdon ta ruajë këtë emër, uroj që kontaktet me publikun të jenë të vazhdueshme.

Flasim pak për bashkëpuntorët tuaj të parë. Cilët kanë qenë ato dhe si ishte afrimi me ta?

Bashkëpuntori im i parë ishte bashkpronari i radios, Riza Rusi. Ai ishte ai financuesi i aparaturave i teknikës etj. Të mos harrojmë se në vitin 1997 shumë gazetarë të njohur shqiptarë, ose braktisën vendin, ose ikën  jashtë shtetit, ose ngelën pa punë. Unë natyrisht kisha punuar me të gjithë kolegët dhe i njihja të gjithë gazetarët, të cilët në një formë, ose në një tjetër ishin aktivë. Kështu që radio Kontakti pati shansin të hapej me Vjollca Vokshin, Ilva Taren, Reis Çicon Alfon Zenelin etj. Pra, ishin emrat më të njohur dhe me të lakuar të asaj kohe, të cilët erdhën në radio Kontakt. Ato kishin dëshirën dhe pasionin për të punuar me orë të gjata.

Meqë po flasim për kohë të vështira, sa e vështirë ka qenë të drejtonit radio Kontaktin në atë kohë?

Natyrisht ka qenë shumë e vështirë, madje njerëz të shquar të jetës politike e drejtuese sot, dikur ruanin radion. Imagjino me sa sakrificë eshtë punuar, gjithmonë me policë nëpër këmbë dhe me anëtarë të SHIK-ut.

Unë kam botuar një libër “Kohë zhurmuesish”, ku sqaroj sesi dalloheshin shumë qartë zhurmuesit, të cilët na zhurmonin valët, këto ishin zhurmues teknik dhe politik. Ka pasur shumë incidente gjatë punës sonë, ka pasur dinamit në antena, kanë ndërprerë energjinë elektrike disa herë, shkëputnin valët, na ndalonin nëpër komisariate policie, SHIK-u bëntë punën e vet nëpërmjet frikësimit etj. Ndoshta këto vështirësi i kanë motivuar akoma më shumë gazetarët tanë për të punuar e për të dhënë akoma më shumë profesionalisht. 

Folëm pak për financimin e radios në vija të përgjithshme, por donim të dinim si ka funksionuar në të vërtetë?

Financuesit e vetëm të radios kanë qenë ish-pronari Riza Rusi dhe vetë dëgjuesit e radio Kontaktit. Ne krijuam një klub, i cili quhej “Klubi Kontakt” dhe përbëhej nga vetë dëgjuesit tonë. Sipas mundësive, çdo dëgjues jepte kontributin e vet. Këtë e bënin thjesht nga pasioni për të dëgjuar këtë radio. Mjaftonte një apel dhe solidariteti ishte maksimal. Kjo ka qenë e dukshme kur ndërmorrëm një aksion në ‘98 për luftën e Kosovën, ku brenda 24 orëve grumbulluam 120 ton ushqime, në një kohë kur shteti nuk kishte grumbulluar as 12 ton.

Kaq shumë vite pune në radio, cili është momenti më mbresëlënës që e kujtoni edhe sot?

Ajo kohë ka qenë e mbushur me shumë ngjarje dhe ka shumë të tillë për mua. Momenti më i bukur ishte dita e parë kur dëgjuam transmetimin e radio Kontaktit,  kur Shpëtim Saraçi na kompozoi siglat dhe na i dha. Por, natyrisht, kujtoj edhe momentet e trishta si: dita që është vrarë bashkëpronari i radios, apo kur Azem Hajdari, një natë para vrasjes,  paratha atë që do t’i ndodhte të nesërmen, pra vrasjen e tij.

Me ç’optikë e shihni sot drejtimin e radios në ato vite?

Ndoshta në atë kohë radio ka qenë shumë e politizuar, sepse vetë koha e cila ishte shumë e politizuar. Njerëzit dëshironin të dëgjonin fjalën e lirë dhe ta thonin atë pa censurë.

Po ta shikoj me syrin e sotshëm, do t’ia ulja pak tensioni politik dhe do të shtoja informacionin në 24 orë.

Çfarë mendoni se keni bërë keq, kur i ktheni sytë nga ajo kohë?

Kur njeriu kur kthen kokën pas, thotë: “Ah, ta kisha bërë kështu ose ashtu”. Por unë nisem nga një poezi e tim eti që thotë: “Edhe njëherë po ta kisha filluar këtë gjë në jetën time, po kësaj rruge do i kisha ra”. Dhe unë po kësaj rruge do i kisha ra, me gjithë defektetet, me gjithë problematikën që ka qenë jo e vogël në fakt, me gjithë shumësinë e zërave, me gjithë sakrificën etj, etj.

Sa ju ka mirëkuptuar familja për orët e gjata  larg tyre?

Vajza ime ka lindur dy muaj pasi është hapur radioja dhe dy-tre vitet e para, vajzën e kam parë apo se kam parë një herë në javë.  Gjithnjë e gjeja në gjumë dhe zgjuar mund ta gjeja një herë në javë, për shkak se mund të qëdroja edhe deri në 2 të natës në program direkt me dëgjuesit. Është vajza e vetme e imja, dhe imagjinoni se çfarë ka qenë ajo radio për mua në atë kohë, por jo vetëm për mua por edhe për shumë shumë tjerë.

Si e menaxhon kohën sot Agron Bala?

Po të kisha më shumë kohë do ishte më mire. Unë zgjohem herët në orën 06:30, pavarësisht kur fle në darkë, sepse duhet të zgjoj vajzën për shkollë. Meqë është fëmijë i vetëm, Jona është pak e përkëdhelur dhe do pak trajtim shkencor për t’u zgjuar nga gjumi. E përcjell deri tek furgoni, i cili e mer dhe e çon në shkollë. Këshu kalon një orë dhe po ashtu, e njëjta gjë ndodh edhe kur vajza kthehet nga shkolla, në orën 15:30. Këto janë dy oraret e vetme të detyrueshme gjatë ditës, pastaj varet, ka ditë që kam leksionet në universitet; ka ditë ku më kërkojnë institucionet ku punoj si anëtarë; ka ditë ku punoj për vete, pasi të përgatisësh leksionet është një punë goxha e madhe, gjithashtu një punë e madhe është të jesh prezent me shkrime nëpër gazeta. Natyrisht unë lexoj shumë, nuk kam hequr dorë nga pasioni i rinisë time, jo vetëm i imi, por i gjithë brezit të asaj kohe. Kishim vetëm librin për të marrë informacion, për t’u formuar dhe si mjet argëtimi. Shoh televizion veçanërisht dokumentare, ose emisione debati-informacion. Filma shikoj shumë pak, koncerte aspak. Atë që e shikoj e shoh për të më shërbyer dhe jo për t’u argëtuar. Shoh 37 kanale franceze që i kam pikë të dobët, dhe për mua janë televizionet më të mira në Europë dhe më gjerë. Kemi të shtunat dhe të dielat që dalim me vajzën dhe gruan. Kam shumë shoqëri dhe njohje, por tani me kalimin e kohës, ka filluar të më tërheq më shumë qëndrimi në shtëpi, të kaloj kohë para kompjuterit duke u marrë me punën time: të lexoj dhe të studioj.

 

 

 

Share Button