Afganistani goditet sërish nga tërmeti

Afganistani është goditur nga një tjetër tërmet i fuqishëm. Epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.3 ballë ishte në veri të vendit, ndërsa lëkundjet janë ndjerë deri në Indi.

Ende nuk është e qartë nëse si pasojë e këtij tërmeti ka pasur viktima në Afganistan, ndërsa mësohet se 17 persona kanë mbetur të plagosur në qytetin pakistanez të Peshavarit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se banorët ne kryeqytetin e Afganistanit, Kabul dhe atë të Pakistanit, Islamabad, kanë dalë menjëherë në rrugë pas tërmetit të fundit.

Rajoni goditet shpesh nga tërmete të fuqishme, të cilët shkaktohen si pasojë e përplasjes së pllakave tektonike.

Në vitin 2005, si pasojë e një tërmeti 7.6 ballë në Pakistan mbetën më shumë se 75 mijë te vdekur.

Në prill të këtij viti, Nepali u godit nga një tërmet, i cili u cilësua si më i fuqishmi i të gjitha kohërave në këtë shtet, duke lënë më shumë se 9 mijë të vdekur dhe rreth 900 mijë shtëpi të dëmtuara.

 

Share Button