Aeroporti i tretë i Stambollit do të mirëpresë avionin e parë në fillim të vitit 2018

Aeroporti i tretë i Stambollit do të mirëpresë avionin e parë para shkurtit të vitit të ardhshëm, tha ministri i Transportit, Detarisë dhe Komunikimit i Turqisë, Ahmet Arslan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të ulim avionin e parë në aeroportin e tretë të Stambollit përpara shkurtit të vitit 2018”, tha Arslan, në tryezën editoriale të AA-së të mërkurën.
Hapja zyrtare e fazës së parë të aeroportit të ri nën ndërtim në Stamboll do të bëhet më 29 tetor të vitit të ardhshëm, tha ai, datë në të cilën Turqia shënon Ditën e Republikës, ditën e shpalljes së Republikës së Turqisë në vitin 1923.

Rreth 68 për qind e ndërtimit të aeroportit ka përfunduar, shtoi Arslan. “Punëtorët po punojnë ditë e natë për të përfunduar projektin në kohë”, tha ai.
Kur faza e parë të përfundojë në vitin 2018, aeroporti do të ketë terminalin më të madh në botë nën një çati, me një sipërfaqe prej rreth një milion metra katrorë dhe aftësi për t’u shërbyer 90 milionë pasagjerëve në vit.

“Ndërkaq, përfundimi i të gjitha fazave do të bëhet deri në vitin 2023, ndërsa aeroporti do të ketë kapacitet vjetor prej 200 milionë pasagjerësh”, tha Arslan.
Ndryshe, me përfundimin e të gjitha fazave, aeroporti pritet të jetë më i ngarkuari në botë, me fluturime në mbi 350 destinacione.

Aktualisht, Aeroporti Ataturk i Stambollit është aeroporti më i ngarkuar në Turqi, me 41,6 milionë pasagjerë në 8 muajt e parë të vitit 2017, sipas autoritetit të aeroporteve shtetërore. Ai u pasua nga Aeroporti i Sabiha Gokcen, qendra kryesore ajrore e Stambollit në anën aziatike, me 20,5 milion pasagjerë.

Share Button