Abbas: Trump i përkushtuar për paqen izrealito-palestineze

Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas tha se presidenti amerikan Donald Trump e ka siguruar se do të angazhohet për paqen izraelito-palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dy zyrtarët e lartë biseduan të premten në telefon, ndërsa presidenti palestinez bisedën me Trump e vlerësoi mjaft konstruktive.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA ka cituar Abbas-in se “Trump ka siguruar angazhim të plotë në procesin e paqes izraelito-palestineze”.

Abbas gjatë bisedimeve me Trump ka deklaruar angazhimin për paqen si një zgjedhje strategjike për krijimin edhe të shtetit palestinez.

Zëdhënësi i tij Nabil Abu Rdainah më parë kishte deklaruar se Trump gjatë bisedës i ka dërguar ftesë zyrtare Abbasit për të vizituar Shtëpinë e Bardhë së shpejti për të diskutuar mbi mënyrat për rifillimin e procesit politik.
Abbas ka konfirmuar këtë informacion, duke theksuar se në të ardhmen e afërt do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
Palestinezët janë të shqetësuar në lidhje me qasjen e Washingtonit zyrtar në favor të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu që kur Donald Trump u bë President i SHBA-ve. Netanyahu dy herë ka biseduar me Trump, dhe ai vizitoi Washingtonin muajin e kaluar.

Share Button