A po na e shkatërron teknologjia kujtesën?

Në ditët e sotme, për të shmangur vendosjen e trurit në punë, na vjen në ndihmë teknologjia. Mjafton një klikim në telefonin inteligjent dhe ky i fundit bën për ne detyra praktike, që deri para disa vitesh i bënim me tru.

Numra telefoni, adresa, datëlindje? Përse duhet t’i mbajmë mend kur na ndihmojnë aparaturat dixhitale për t’i mbajtur mend për ne?
Njerëzit po heqin dorë me shpejtësi nga përpjekjet për të mbajtur mend vetë, duke ia transferuar këtë detyrë telefonave inteligjentë, tabletëve apo pajisjeve të tjera…dhe kjo jo pa kosto.

Sipas një hulumtimi të “Kaspersky Lab” 90 % e përdoruesve të pajisjeve teknologjike vuan nga amnezia dixhitale, mbi 70 % nuk mbajnë mend numrat e telefonave të personave më të afërt dhe 49 %, as të partnerit të tyre.
“Teknologjia na ndihmon të rritemi më të zgjuar, të bëjmë pyetjet e duhura”, thotë antropologia Genevieve Bell.

Krejt të kundërtën mendon antropologu Andrew Keen, autor i studimit “Interneti nuk është përgjigja”, sipas të cilit po humbet “ushtrimi i trurit”.
“Mendjet janë dembelosur. Truri është një muskul që po stërvitet gjithnjë e më pak dhe e gjitha kjo për faj të teknologjisë”, thotë ai.

Këto dy qëndrime kanë ngjallur debate ku secila palë mbron me fanatizëm qëndrimet e saj, sidomos në forumet teknologjike në internet. Por lajmi i mirë, sipas Marie Wimber e Universitetit të Birmingamit, interneti dhe pajisjet teknologjike thjesht kanë ndryshuar mënyrën e ruajtjes së informacionit.

“Nuk na bën më të trashë, por më të zotë në mënyrën se ku dhe çfarë kërkojmë”, thotë ajo.

Share Button