A do të ndikojë shtyrja e votimeve në Kavajë për të zgjidhur krizën politike sipas ‘Deutsche Velle’?

Mazhoranca këmbëngul që zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen më 18 qershor, kurse opozita ka paralajmëruar protestë masive në Tiranë për plotësimin e kushtit për qeveri teknike.

Ndërprerja e procesit të votimit për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, nga tërheqja e kandidatit të mazhorancës, duket sikur ka zbutur tensionin politik, por pas këtij vendimi, nuk ka shenja konkrete për rifillimin e dialogut.

Nga votimet e pjesshme të parakohshme të Kavajës tani fokusi është tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit. Mazhoranca po këmbëngul për zhvillimin e tyre, qoftë dhe pa pjesmarrjen e opozitës.

Ndërkohë që PD dhe koalicioni i djathtë pas rreth dy muaj e gjysmë protestë vijojnë të kërkojnë qeveri teknike dhe më pas zhvillimin e votimeve parlamentare.

Basha: Zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri teknike

Kryetari i PD-së Luzim Basha e përshkroi tërheqjen e mazhorancës nga Kavaja jo si dhuratë, apo lëmoshë, por si sprapsje “të detyruar nga refuzimi masiv i kavajasve për t’u keqpërdorur dhe sprapje e tmerruar nga bashkimi masiv i shqiptarëve që ishin bërë gati të marshonin në Kavajë dhe të çlironin republikën e të sillnin Republikën e Re”.

Basha ju tha mbështetësve të mbledhur në çadrën e ngritur ngjitur me kryeministrinë të shtunën, se në datën 13 maj do të ketë një protestë paqësore masive për të rikonfirmuar kërkesën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por pas ndërtimit të një qeverie teknike. Për shefin e opozitës nuk do pranohen kurrë “zgjedhje të diktuara nga krimi droga e pa opozitën dhe se të vetmet zgjedhje që ky vend do të mbajë, do të jenë zgjedhjet e të lira e të ndershme nga droga, krimi monizmi me një qeveri teknike e cila do të përmbushë mandatin popullor për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Rama: Më 18 qershor qytetarët do japin mesazh se rruga jonë është Europa

Duke shfrytëzuar pjesëmarrjen në një veprimtari që u zhvillua të shtunën në mbrëmje, në kuadër të Javës Evropiane, kryeministri tha se vendi aktualisht është në udhëkryq, duke evidentuar pengesa dhe barrikada për zbatimin e reformës në drejtësi. Duke u ndalur tek procesi i integrimit europian të Shqipërisë, Rama, shprehur bindjen se në këtë udhëkryq do të fitojë e ardhmja dhe nuk do të imponohet e shkuara.

“Do të fitojë Evropa në zemrat dhe në vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do të fitojë kundërvënia ndaj saj nga frika dhe tmerri për drejtësi. Kjo është sfida për të cilën jemi të përkushtuar, shpresojmë dhe që kjo periudhë e brendshme politike shpresoj ta kalojmë. Udhëkryqin politik ta kapërcejmë në mënyrë të njerzishme. Ne do ja dalim siç jam i bindur që me 18 qershor qytetarët do të japin një mesazh që rruga jonë është Europa dhe nuk mund të shtyhet më tepër në kohë”

Vlahutin: Jepuni qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar

Pas shtyrjes së votimeve në Kavajë vijojnë dhe reagimet e ndërkombëtarëve si apelim për reflektim nga klasa politike në gjetjen e konsensusit. Pas reagimeve të ambasadave të Gjermanisë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, të shtunën u prononcua dhe shefja e Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin. Ambasadorja Vlahutin tregoi siguri se, sipas saj, do të ketë guxim e mençuri të mjaftueshme dhe kurajo në gjithë politikën shqiptare, që të gjenden mënyra të arsyeshme për t’u dhënë gjithë qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar partinë të cilën ata zgjedhin.

“Kjo nuk duhet të jetë dhe nuk ka për të qenë bllokim i ambicies për integrimin në BE. Çdo gjë që ne si BE bëjmë bëhet për qytetarët e Shqipërisë. Besoj në mënyrë absolute që gjithçka kanë për të bërë politikanët shqiptarë kanë për ta bërë për qytetarët e këtij vendi. Është më e lëhtë të luftosh apo të zihesh për diçka sesa ta ndërtosh atë”.

Share Button