99 për qind e mikrobeve brenda nesh janë të panjohura për shkencën

I kemi rreth 69 trilionë qeliza në trupin tonë, por vetëm rreth gjysma e tyre janë njerëzore. Pjesa tjetër janë bakteriale – dhe, duhet të theksojmë, kjo shifër madje nuk i llogarit shumë viruset që jetojnë brenda jush.

Po ato qelizat jonjerëzore? Shkencëtarët zbuluan rastësisht se pothuajse të gjitha janë të panjohura për shkencën. Është kjo një botë e madhe dhe shumë e imët atje.

Disa nga zbulimet më të mira në shkencë ndodhin aksidentalisht. Ky nuk është përjashtim. Studiuesit e Stanfordit po e kërkonin një mënyrë të mirë për të kuptuar se kur një trup i pacientit do ta refuzojë një transplantim, diçka më e lehtë se biopsia standarde me gjilpërë.

Ata morën mostra të gjakut nga pranuesit e transplantit, e analizuan mikrobiomin e tyre – koleksionin e baktereve, viruseve dhe organizmave të tjerë mikroskopikë që jetojnë në trupin e njeriut – dhe zbuluan se nëse gjaku përmbante shumë ADN nga dhuruesi i organit, organi sigurisht do të refuzohej. E mahnitshme! Një mënyrë e lehtë për ta zbuluar refuzimin e organeve, pa nevojën për biopsi.

Por prisni. Në analizën e tyre, ata nuk e shikuan vetëm ADN-në e dhuruesve – ata shikuan gjithçka, transmeton Koha.net. Dhe zbuluan se nga të gjitha organizmat e vegjël që vendosen në trup, 99 për qind e tyre e përmbanin ADN-në që nuk përputhej me bazën gjenetike. Pothuajse i gjithë mikrobiomi nuk ishte identifikuar kurrë nga shkencëtarët.

Pas publikimit të studimeve të tyre për refuzimin e transplantimeve, profesori i Stanfordit, Stephen Quake dhe një ekip i madh kërkuesish filluan të punonin për t’i karakterizuar këto mikrobe misterioze. Shumë prej tyre ishin të afërm të mikrobeve të njohura, gjë që i bënte të lehta për identifikim. Pjesa më e madhe e ADN-së së re, për shembull, i përkiste një kategorie të quajtur proteobacteria, në të cilën përkasin E. coli dhe Salmonella.

Viruset e reja ishin një fitore veçanërisht e madhe. Grupi më i madh i viruseve që ata e gjetën ishin në familjen torque teno, të cilat zakonisht nuk ndërlidhen me sëmundje. Midis viruseve torque teno, të cilat shkencëtarët i njohin, njëri grup i infekton njerëzit dhe një tjetër i infekton kafshët. Por në mesin e viruseve torque teno, të cilat këta studiues i gjetën, shumë prej tyre nuk u përshtatën në asnjërin grup. “Ne e kemi dyfishuar numrin e viruseve të njohura në atë familje përmes kësaj pune”, tha Quake në një njoftim për shtyp.

Por pse kishte kaq shumë prej këtyre mikrobeve të panjohura deri në këtë moment? Ky nuk ishte mister për studiuesit. Në përgjithësi, studimet që e hulumtojnë mikrobiomin janë shumë specifike: ato e shikojnë vetëm zorrën, ose vetëm lëkurën, ose vetëm një lloj mikrobi, përcjell Koha.net. Për shkak se ekipi e përdorte një thjerrëz më të gjerë në studimin e tyre të transplantimeve, ata gjetën shumë mikrobe që shkencëtarët nuk kishin menduar t’i analizonin më parë. Aksidentalisht apo jo, duke ditur më shumë për diversitetin e madh të mikrobiomit njerëzor kjo mund të na mësojë më shumë rreth infeksioneve që mund të na prekin. Kjo, nga ana tjetër, mund t’i ndihmojë ekspertët ta parandalojnë pandeminë e ardhshme globale.

Share Button