62 mijë nxënës më pak se katër vite më parë në shkollat 9-vjeçare në vend

Numri i nxënësve që i mungojnë shkollave nëntëvjeçare në Shqipëri krahasuar me katër vite më parë është më i madh se numri i banorëve në Kukës.
Këtë vit shkollor në arsimin publik dhe privat janë regjistruar 62 mijë e 737 nxënës më pak se katër vite më parë, ndërsa Kukësi bazuar në censusin e 2011-es ka 47 mijë e 985 banorë.

Shifra shqetësuese dalin në pah nga një përllogaritje e thjeshtë e të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave në Vjetarin Statistikor Rajonal.
Nëse në vitin shkollor 2012-2013 në arsimin nëntëvjeçar publik dhe privat janë regjistruar 390 mijë e 837 nxënës në vitin shkollor 2016 -2017 janë regjistruar 328 mijë e 100 nxënës.

Rreth 24 mijë nxënës mungojnë vetëm në ciklin e ulët.
Sipas Institutit të Statistikave ulja e vazhdueshme e nxënësve në arsimin paruniversitar në përgjithësi vjen si pasojë e uljes së numrit të lindjeve dhe emigrimit.
Elbasani dhe Shkodra janë dy qytetet ku krahasuar me katër vite më parë numri i nxënësve në shkolla është më i ulët, përkatësisht me rreth 8 mijë nxënës më pak.
Me pas vjen Fieri me rreth 7 mijë e 400 nxënës, ndiqet nga Tirana me rreth 7 mijë, Durrësi me rreth 5 mijë e 500.

Numri më i ulët përllogaritet në Berat e Vlorë me rreth 3 mijë e 500 nxënës dhe në Gjirokastër me rreth 1 mijë e 500 nxënës më pak.
Rënia e numrit të fëmijëve që frekuentojnë arsimin nëntëvjeçar ka bërë që në shumë shkolla të krijohen klasat kolektive.
Ashtu si dhe në Çermë të Divjakës pak ditë më parë, ku prindërit dolën në protestë për të kundërshtuar bashkimin e klasave të para, të dyta dhe të katërta.
ABC News pyeti pranë Ministrisë së Arsimit për këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Share Button