6 motive pse një punonjës qëndron në një punë (Jo, paratë nuk është një prej tyre!)

Ju ndoshta mund t’i keni parë statistikat e Gallup që tregojnë se një në dy punonjës thonë se nuk janë të “angazhuar” në punën e tyre, ndërsa një 17% tjetër thotë se janë “të paangazhuar në mënyrë aktive”.

Edhe nëse nuk i keni parë këto shifra, faktet e largimit nga puna të punonjësve shpesh ju përplasen në fytyrë, në formën e atyre email-eve të lamtumirës që vijnë në adresën tuaj çdo javë.

Çdokush e lë punën për një arsye të ndryshme dhe sigurisht arsyet e dorëheqjes janë shpesh shumëdimensionale dhe të ndërlikuara.

Por në vend që të flasim për arsyet e mundshme se pse dikush jep dorëheqjen nga një kompani, le të flasim më mirë për motivet për të cilat njerëzit qëndrojnë….

Përtej parave – të cilat janë po të rëndësishme – çfarë e motivon dikë që të investojë kaq shumë nga vetja në punën dhe kompaninë e vet, a i jep ajo një ndjenjë shpërblimi profesional dhe personal dhe e bën të qëndrojë?
Më poshtë janë gjashtë gjëra që njerëzit kërkojnë vërtet nga puna e tyre:

1.Kuptimi

Romanet e mirë – ata që të bëjnë të kthesh faqe pas faqe gjer sa të shkosh në fund – janë ata që tregojnë histori me tematikë të thellë. Çdokush jeton historinë e tij dhe përpiqet t’i japë një kuptim më të thellë gjërave që bën. Të gjithë përpiqen të zbulojnë temën që lidh gjithçka në jetë.

Mbi të gjitha, duke qenë se njerëzit kalojnë pjesën më të madhe të ditës me kolegët e tyre – kohë që nuk kalohet me njerëzit e dashur – çfarë i jep vlerë gjithë kësaj kohe? Kompanitë që i ndihmojnë punonjësit e tyre t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje kanë më shumë mundësi t’i frymëzojnë dhe t’i bëjnë që të qëndrojnë.

2. Sfida

Puna është një platformë e rëndësishme për njerëzit që të mësojnë aftësi të reja, për të shfrytëzuar potencialin e tyre dhe për të qenë një version më i mirë i vetes. Njerëzit dëshirojnë të rriten profesionalisht dhe personalisht. Por që të rriten kanë nevojë të kenë mundësi që të përballen me sfida të reja dhe të zgjidhin probleme të reja, ata kanë nevojë që të vihen në provë.

Jepuni punonjësve mundësi të mësojnë aftësi të reja, të njohin njerëz të rinj dhe të eksplorojnë mundësi të reja në mënyrë që të japin ndihmesën e tyre, ndryshe do t’i shihni të mërziten, të mos angazhohen dhe në fund të japin dorëheqjen.

3.Autonomia

Njerëzit duan të kenë ndjenjën e autonomisë në atë që bëjnë. Ata duan të ndihen zotër të fatit të tyre, pasi pjesa më e madhe e suksesit personal varet nga ajo që bëjnë në punë. Autonomia – liria për të marrë vendime dhe për të marrë përgjegjësi për to – është ajo çka dëshirojnë shumë njerëz.

4.Vlerësimi

Nuk ka asgjë më demoralizuese kur një njeri nuk merr vlerësimin që meriton. Edhe më e keqe, është kur dikush tjetër merr meritat e punës suaj. Të qenët i dukshëm do të thotë t’i japësh një vlerësim – brenda kompanisë – ndonjëherë edhe jashtë saj – për një punë të bërë mirë. Vlerësimi mund të jetë shpesh një faktor më i rëndësishëm se sa rritja e pagesës apo dhënia e një bonusi (këto të fundit janë gjithnjë të mirëpritura!).

5.Drejtësia

Çdokush është i ndryshëm. Çdo person kontribuon në një mënyrë të ndryshme në një kompani. Dhe njerëzit e kuptojnë kur ata trajtohen padrejtësisht.

Kompanitë që i trajtojnë punonjësit e tyre në mënyrë të padrejtë – për shembull duke i dhënë një punonjësi një zyrë më vete kurse të gjithë të tjerët, i caktojnë bashkë, në një ambient të hapur; apo i paguajnë njerëzit në mënyrë të ndryshme, pavarësisht aftësive të tyre, kualifikimeve apo kontributeve të pamatshme – kanë më pak gjasa që t’i bëjnë të qëndrojnë punonjësit që duan të mbajnë.

6.Autenticiteti

Pjesa më e madhe e jetës sonë shkon në punë, larg shtëpisë, ku mund të çlodhemi dhe të jemi vetvetja. Pse pjesa më e madhe e kompanive e bëjnë kaq të vështirë për njerëzit që të jenë thjesht vetvetja, duke mos i bërë të ndiejnë turp për atë që janë dhe preferencat e tyre personale.

Ndoshta, po aq sa domethënia, njerëzit duan mundësinë që të ndihen autentik. Fshehja pas një maske dhe gënjeshtra nuk janë aspak komode, por poshtëruese dhe demoralizuese.
Nuk është kaq e vështirë të kuptosh se çfarë duan punonjësit me të vërtetë. Megjithatë kjo kërkon të flitet shumë – dhe më shumë akoma, të dëgjosh. /Monitor.al

*Glenn Leibowitz
Burimi: INC

Share Button