5 persona të infektuar nga Antraksi

Instituti i Shëndetit Publik ka diagnostikuar 5 persona të infektuar nga sëmundja e Antraksit, që njihet ndryshe si plasja. Rastet janë konstatuar në një fshat të Tepelenës, ndërkohë që shkak i infektimit është bërë konsumimi i mishit të infektuar me Antraks. Në këto kushte, specialistët e ISHP-së kërkojnë ndërgjegjësimin e konsumatorit për të mos konsumuar mish të pakontrolluar, ndërsa sa i takon strategjive të kontrollit kërkojnë vaksinimin e bagëtive, sidomos në pjesën jugore të vendit.Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë bën të ditur se rastet në Tepelenë janë të izoluara dhe janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria individuale. “Ministria e Bujqësisë pas njoftimeve që mori nga Instituti i Shëndetit Publik në rrethin e Tepelenës në fshatin Arzë e Madhe, mori të gjitha masat, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së plasjes. E gjithë zona u vu nën kontrollin veterinar dhe u vaksinuan 4000 krerë që mbarështroheshin në këtë zonë. Ministria e Bujqësisë, në planin kombëtar të parandalimit të sëmundjes së plasjes ka vaksinuar 165 mijë krerë në qarkun e Gjirokastrës dhe vazhdon monitorimi.”- deklaroi drejtoresha e Shërbimit Veterinar, Shpresa Arbi. Ministria e Bujqësisë u bën apel fermerëve që në rastet e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të tilla te kafshët, të lajmërojnë menjëherë shërbimin veterinar zyrtar, shërbimin veterinar të komunave e bashkive dhe gjithë veterinerët private që operojnë në zonat e tyre. Ministria e Bujqësisë siguron se situata është nën kontroll të plotë, për të garantuar shëndetin e konsumatorit.

Share Button