UNICEF: 320 mijë fëmijë nga Arakani të strehuar në Bangladesh ndodhen nën kërcënim

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) ka bërë të ditur se çdo javë rreth 12 mijë fëmijë nga Arakani që janë larguar për shkak të dhunës në Mianmar që nga 25 gushti kanë mbetur të detyruar të strehohen në Bangladesh, duke shtuar se 320 mijë fëmijë janë të kërcënuar nga “kushtet e tmerrshme të jetesës në kampe dhe sëmundjet që përhapen nga uji”, transmeton Anadolu Agency (AA).

UNICEF në një raport të ri të publikuar ka vënë në dukje edhe njëherë dhunën ndaj muslimanëve nga ushtria e Mianmarit dhe budistët fanatikë në rajonin e Arakanit.
Në raport theksohet se çdo ditë rreth 1.200 deri në 1.800 fëmijë të Arakanit detyrohen të strehohen në Bangladesh dhe vetëm në disa ditë të fundit në pjesën kufitare të Bangladeshit kanë kaluar rreth 10 mijë fëmijë nga Arakani.

“Janë dëshmitarë të një mizorie që një fëmijë kurrë nuk duhet ta shohë”

Anthony Lake, drejtori i përgjithshëm i UNICEF-it i cili një ditë më parë ka vizituar kampet në Cox’s Bazar të Bangladeshit, në një deklaratë në lidhje me raportin është shprehur se “Shumë fëmijë të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh janë dëshmitarë të një mizorie që një fëmijë kurrë nuk duhet ta shohë dhe të gjithë ata kanë vuajtur nga humbjet e shumta që kanë përjetuar.”
Duke vënë në dukje se këto fëmijë kanë nevojë në mënyrë urgjente për ushqime, ujë të pastër dhe produkte mjekësore, por edhe nga pikëpamja psikologjike, Lake ka bërë vlerësimin se “Në mënyrë që ata të tejkalojnë të gjithë dhimbjet me të cilat janë përballur kanë nevojë për arsimim, mbështetje psikologjike dhe shpresë. Nëse nuk i sigurojmë të gjitha këto si do të rriten ata për të qenë qytetar produktiv për shoqërinë? Kjo krizë po vjedh fëmijërinë e tyre. Në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë që atyre t’iu vidhet edhe e ardhmja”.

“Në kampe ndodhen 320 mijë fëmijë refugjatë”

Sipas raportit të UNICEF-it, nga 582 mijë muslimanë të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh bëhet e ditur se 320 mijë prej tyre e përbëjnë fëmijët. Ndër të tjera në raport tërhiqet vëmendja se “kushtet e tmerrshme të jetesës në kampe dhe sëmundjet që përhapen nga uji” kërcënojnë 320 mijë fëmijët dhe se një rrezik të madh për ta prëbën edhe kequshqyerja dhe kolera.
Gjithashtu në raport theksohet se UNICEF nuk lejohet të ketë qasje për fëmijët muslimanë në rajonin Arakan dhe se duhet të gjendet një zgjidhje afatgjatë, veçanërisht në lidhje me shtetësinë, përkatësinë etnike dhe diskriminimin fetar.
UNICEF gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke lejuar qasje të menjëhershme dhe të pakushtëzuar në rajonin e Arakanit dhe duke siguruar që muslimanët e Arakanit të kthehen në mënyrë të sigurtë në shtëpitë e tyre.

Share Button