Nis edicioni i parë i Festivalit të Filmit Turk në Prizren

Edicioni i parë i Festivalit të Filmit Turk në Prizren, i organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë filloi me një ceremoni në kinemanë Lumbardhi, ku i ftuar ishte aktori legjendar turk Ediz Hun, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë festivalit, i cili do të mbahet prej 8 deri më 15 shtator do të shfaqen 11 filmat më të suksesshëm të kinemasë turke të viteve fundit. Në hapje të festivalit të pranishëm ishin edhe aktorët, regjisorët, skenaristët e brezit të vjetër dhe të ri nga Turqia, si aktori i filmave të vjetër, Ediz Hun, regjisori i shumë filmave të suksesshëm, Çağan Irmak dhe aktori i famshëm i cili ka luajtur në shumë seriale të njohura edhe nga audienca kosovare, Yiğit Özşener.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, ministri në largim i Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Mahir Yağcılar, zëvendës Sekretari i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Nihat Gül, konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, Selen Evcit, komandanti turk i KFOR-it në Kosovë, İhsan Tavazar, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, përfaqësues të forcave turke të KFOR-it, si dhe shumë artdashës dhe qytetarë të Prizrenit.

Konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, Selen Evcit, e cila bëri hapjen e festivalit tha se ndihen shumë të lumtur si konsullatë e përgjithshme që kanë arritur të realizojnë këtë projekt shumë të dëshiruar nga ana e tyre prej ditës së parë nga hapja e konsullatës, në njërën nga kinematë më të vjetra të Ballkanit, kinemanë Lumbardhi. Evcit po ashtu falënderojë qytetarët e Prizrenit për afërsinë dhe kujdesin e treguar që nga hapja e konsullatës duke theksuar se: “Gjatë kësaj periudhe jemi takuar me ju në shumë aktivitete dhe ne si konsullatë e përgjithshme gjithmonë jemi munduar që këto aktivitete të jenë aktivitete kulturore dhe artistike, sepse ne jemi të vetëdijshëm që do të jemi të gjallë vetëm duke e mbrojtur kulturën dhe artin”.

Ambasadorja Kıvılcım Kılıç, e cila ia prezantoi çmimin e “Arritjs jetësore në kinema”, aktorit legjendar të Turqisë, Ediz Hun duke falënderuar konsullatën e përgjithshme në Prizren dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë për organizimin e këtij festivali, tha se aktori Hun është doajen i kinematografisë turke i cili ka qenë protagonist i filmave të paharruara në memorien e njerëzve në Turqi.

“Ne jemi shumë krenarë që kemi këtu në mesin tonë një njeri i cili ka mbetur në memorien e kulturës, kinemasë dhe artit turk dhe është vendosur në zemrën e audiencës turke i cili ka mbajtur përgjegjësinë të përfaqësojë artin e tij në gjuhën e vet dhe me personalitetin shembullor”, tha Kılıç.

Ndërsa, aktori Ediz Hun, i cili pranoi çmimin për arritje jetësore në kinematografi këtë çmim ia dedikoi të gjithë artistëve të mëdhenj të Turqisë të cilët kanë krijuar filma që nga viti 1920. Hun duke falënderuar konsullatën e përgjithshme në Prizren dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit së Turqisë për kontributin e dhënë në promovimin e artit gjatë fjalës së tij citoi edhe disa fjalë dhe mesazhe për dashurinë ndërnjerëzore nga Mevlana Xhelaledin Rumi dhe poetit të madh turk Yunus Emre.

“Prania juaj këtu shfaq dashurinë që keni ndaj nesh, po ashtu tregon vlerën të cilën ia atribuoni artit dhe kjo është tepër e rëndësishme. Kur shikojmë në qiell kuptojmë se pafundësia e botës është një burim i energjisë të fuqizuar me dashuri të pafund”, tha Hun.
Regjisori dhe skenaristi turk Çağan Irmak, i cili mori një mirënjohje nga ministri Yağcılar theksoi se filmi i cili do ta hapë këtë festival, “Dedemin İnsanları/Njerëzit e Gjyshit tim”, tregon jetën e gjyshit të tij i cili ka qenë emigrant. Ai tha se ka shumë njerëz në Turqi që kanë migruar nga Kosova duke patur gjithmonë shumë mall për vendlindjet e tyre.Pas ceremonisë hapjes së festivalit partnerët e të cilit janë DokuFest, DokuKino dhe Kino Lumbardhi u shfaq filmi i regjisorit Çağan Irmak, “Dedemin İnsanları/Njerëzit e Gjyshit tim”. Filmat do të shfaqen me titra në gjuhën shqipe dhe janë të hapur për publikun pa pagesë.

Share Button