33 të vrarë nga dhuna në Irak

Në sulme të veçanta në mbarë Irakun gjate së hënës janë vrarë 33 persona dhe dhjetra të tjerë janë plagosur.

Dje në qytetin Suvajra, në jug të Bagdadit, një sulmues vetëvrasës përplasi makinën e tij të ngarkuar me eksploziv në një postbllok të policisë, duke vrarë 10 vetë dhe duke plagosur më shumë se 17 të tjerë.

Në qytetin e afërt, Madejn, një tjetër sulmues vetëvrasës goditi me makinë një postbllok të ushtrisë, duke vrarë dy ushtarë dhe duke plagosur pesë të tjerë.

Shpërthimi i një bombe në anë të rrugës shkaktoi vrasjen e një ushtari irakian dhe plagosjen e tre të tjerëve në qytetin verior Mishada.

Në Latifja, rreth 30 kilometra në jug të Bagdadit, persona të armatosur qëlluan me një breshëri të shtënash nga një makinë në lëvizje duke vrarë një civil dhe duke plagosur dy të tjerë.

Ndërkaq katër sulme me bomba goditën pjesë të ndryshme të Bagdadit të hënën në mbrëmje, duke shkaktuar vrasjen e 14 personave dhe plagosjen e 40 të tjerëve.

Askush nuk e mori përgjegjësinë për këto sulme, por dhuna në mbarë Irakun është rritur ndërkohë që militantët vazhdojnë përpjekjet për të minuar qeverinë e drejtuar nga partitë shiite përpara zgjedhjeve parlamentare të 30 prillit.

Share Button