Familja nga Tetova jeton në shtëpi me ujq të zbutur

Familja Ismaili nga Tetova ngjall habi me tre ujqërit për të cilët ka marrë përgjegjësinë për t’u kujdesur. Kjo familje, e cila jeton me ujqit e zbutur në një vilë në rrëzë të Malit Sharr, mal ky të cilit i janë thurur vargje që nga romanet e deri te këngët, vazhdon të jetojë e lumtur me këto kafshë, për dallim nga ajo që në përgjithësi dihet mbi këtë lloj kafshe.

Megjithëse ujku nga njeriu konsiderohet si kafshë dinake, gjakpirëse dhe e rrezikshme, Alek, Lupo dhe Luna, tre ujqërit për të cilët tashmë mbi dy vite kujdeset familja tetovare, nuk paraqesin asnjë rrezik, por në të kundërtën janë miqësorë dhe anëtarë të barabartë të familjes Ismaili.

Ujku i malit që konsiderohet i rrezikshëm, gjithmonë përpiqet t’i shmanget ballafaqimit me njeriun, për jetën e të cilit zakonisht nuk paraqet ndonjë rrezik. Kjo krijesë gjuan tufa të kafshëve të vogla si dele dhe dhi shtëpiake që janë nën përkujdesjen e qenve. Mirëpo, këta ujq të familjes Ismaili dallojnë nga ujku i malit, sepse ata janë miqësorë, nuk ushqehen me mish të gjallë, si dhe ka ndodhur që të rastisin me tufa të deleve dhe nuk i kanë sulmuar.

Këta tre ujq ushqehen një herë në ditë, edhe atë me eshtra, ushqim të zier dhe rrallë herë me ushqim të gatshëm. Kryefamiljari Fadil Ismaili, dashurinë ndaj kafshëve e kishte që nga fëmijëria, ndërsa ideja për t’u kujdesur për ujqërit i lindi për shkak se ujku nga njeriu përshkruhet si kafshë e rrezikshme.

Ismaili jeton në Tetovë, ndërsa në fshatin Leshkë të këtij qyteti ka ndërtuar një vilë ku jeton përkohësisht dhe kujdeset për këto kafshë të zbutura që kur ishin këlysh. Ai dhe familja e tij thuajse edhe brenda vilës jetojnë bashkë me ujqërit dhe ndajnë ushqimin e njëjtë.

“E gjithë kjo është në kundërshtim me realitetin e njeriut, i cili thotë se ujku është i keq. Unë jam i bindur se njeriu është shumë më i keq se ujku. Këto ujq nuk më kanë bërë asnjë dëm, ndërsa njerëzit po. Ne frikësohemi prej dhëmbëve të ujkut, por nuk frikësohemi nga njerëzit e armatosur”, shprehet Ismaili, duke shtuar se vetëm duhet të mësosh të sillesh mirë me ujqërit dhe ata do të ta kthejnë me të mirë.

– Sikurse fëmija me dashuri, edhe ujku me dashuri rritet ndryshe

Para se t’i blejë ujqit, Ismaili ka ndjekur trajnime se si duhet të sillet dhe t’i edukojë kafshët. Ai për Anadolu Agency (AA) shpjegon se ujqit e tij kanë natyrën e vet dhe përmes shenjave dhe lëvizjeve bisedojnë me njeriun, por pasi që njeriu është më inteligjent, ai duhet të përpiqet të kuptojë gjuhën e tyre dhe jo të ndodh e kundërta.

“Fëmija me dashuri rritet ndryshe, edhe ujku me dashuri rritet ndryshe dhe bëhet një shok i vërtetë. Mirëpo, ne si njerëz duam që ata të na kuptojnë. Edhe duke e ditur se ne jemi më inteligjentë kërkojmë nga ujku të na kuptojë neve. Por jo, më lehtë e kemi që ne t’i kuptojmë ujqërit dhe sipas kërkesave të tyre të veprojmë”, thotë Ismaili për AA.

Te Lupo, Luna dhe Alek, tregon Ismaili, është krijuar një hierarki në të cilën përfshihen edhe anëtarët e familjes së tij. Në këtë hierarki kryesuesi është kryefamiljari Fadil Ismaili, pastaj vjen Aleku, më pas bashkëshortja dhe fëmijët e tij, ndërsa në fund Luna dhe Lupo. Ismaili shprehet se Aleku përmes lëvizjeve dhe shenjave të ndryshme shpesh përpiqet t’u tregojë bashkëshortes dhe fëmijëve se është më i fortë, por këto lëvizje nuk i përdor edhe ndaj tij, i cili konsiderohet si më i madhi në hierarkinë e ujqve.

Ismaili “kopenë e ujqve” e shëtit edhe nëpër fshatin Leshkë. Ndërkohë, edhe fqinjët dhe banorët e fshatit shpesh kalonin pranë vilës për t’i vizituar këto kafshë, nga ana e të cilëve vërehej një respekt i veçantë ndaj familjes Ismaili. Në kohën kur kalonin njerëz të njohur ujqërit aspak nuk reagonin, por kur kalonte ndonjë i panjohur ata fillonin me ulërimat e tyre deri sa Ismaili u jepte shenjë që të ndalojnë.

Diçka e pazakontë tek këta ujq ishte edhe ulërima e tyre që nuk mungonte në çdo thirrje të ezanit. Ismaili thekson se nuk ndodh që mos të ulërijnë në kohën e thirrjes së ezanit, por nuk din arsyen se pse ndodh kjo.

Përndryshe, Alek, Lupo dhe Luna duan përkujdesje të madhe sipas disa rregullave të tyre, gjë për të cilën familja Ismaili bënë më të mirën për to. Këta tre ujq ushqehen me ushqim të veçantë, përfshirë vitamina të ndryshme në varësi të kushteve të motit, që mos t’u paraqitet ndonjë sëmundje ujqërve.

Share Button