Buka, me apo pa ngjyrues?!

“Bukë të zezë, të zezë nuk ka”, thotë dr. Cani. “Shoh shpesh bukë të zezë me fara që tregtohet në dyqane dhe mund të them me bindje që kjo ngjyrë e bukës arrihet me ngjyrues. Sigurisht ka shumë spekulime për ngjyruesit, por ajo që di me siguri është që përdoret ngjyrues ushqimor dhe jo kimikat, pasi diferenca në çmim është e papërfillshme”. Por gjithmonë ka alternative të tjera për t’i dhënë brumit ngjyrën e kërkuar: “Ndodh që prodhuesi të shtojë në brum dhe atë mbetjen e djegur nga bukët e tjera duke i përforcuar miellit të errëtën e fortë, ose dhe sheqer të karamelizuar, pasi dihet që në bukë shtohet dhe pak sheqer për t’i rregulluar shijen. Por nuk duhet të harrojmë që të gjithë këto lloje shtesash, ndoshta në sasi të vogël janë të papërfillshme, por po të konsumohen gjatë shkaktojnë dëme të pariparueshme, madje dhe fatale për organizmin e njeriut”.

Çfarë nuk dimë…

Nuk e di a ju ndodh sa herë që shkoni të blini bukë, por gjithmonë zgjohet kureshtia për të zgjatur kokën e për të hedhur një sy tek ajo brumatriçja apo tek tavat e pjekjes, apo thjesht për të parë a ka lagështirë në mure. Por në fakt “sekretet e frikshëm” ndodh që të mos i kemi të gjithë para syve.

“Vërtet që ngjyruesit që përdoren janë ushqimorë dhe pa ndikim në shëndetin e njeriut, por nëse ata nuk ruhen në kushtet e duhura, myku dhe afatet e skadimit mund të kthehen në një kërcënim serioz për organizmin”, thotë Cani.
Ndërkohë, nga ana tjetër ato tavat e zeza ku piqen bukët të kallin pak frikën. “Kemi të dhëna të padiskutueshme që vaji që përdoret për të lyer tavat është shumë i rrezikshëm, pasi është përdorur më parë nga industri apo biznese të tjera.

Mund të duket e papërfillshme masa, por nisur nga sasia dhe shpeshtësia e konsumit të bukës, vaji që marrim bashkë me të dëmton dhe kërcënon seriozisht konsumatorin. Mund të përmend kryesisht problemet me mëlçinë ”. Problem më vete janë dhe ato simitet, pitet dhe të gjithë prohimet e tjera me formë, veçmas bukës masive. “Mielli i këtyre të fundit është më cilësor, problemi qëndron tek sasia e madhe e vajit me të cilën lyhen, mos të themi që për tu dhënë atë pamjen e bukur përdoret dhe margarinë, njësoj e dëmshme”, shton Cani.

Çfarë të zgjedh?

Në rast se mielli është i ruajtur brenda standardeve dhe parametrave të caktuar zgjedhja më e mirë është buka e zezë e fshatit. “Formula e zakonshme e përgatitjes së brumit është miell, ujë, kripë plus dhe shtesat e tjera siç është majaja që përdoret në bukët masive. Pikëpyetjet me majanë ngrihen në lidhje me kushtet e ruajtjes së saj dhe përdorimit brenda afateve të skadencës. Zgjidhja më e mirë duket buka e zezë e fshatit, e cila prodhohet vetëm me brum të ardhur natyralisht”, përfundon dr. Cani.

Share Button