18 viktima nga shpërthimet kamikaze në Siri

18 persona, mes të cilëve 11 fëmijë, kanë humbur jetën në dy shpërthime kamikaze në provincën siriane, Hama. Media shtetërore njoftoi se shpërthimet terroriste ndodhën në Jibrin, në verilindje të qytetit të Hamas. Sulmi vjen vetëm disa ditë pasi disa dhjetëra njerëz u vranë në një shpërthim në zonën e kontrolluar nga Qeveria të Homsit. Kryengritësit kanë rënë dakord që të tërhiqen nga Homsi. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se të paktën 1 mijë luftëtarë do të tërhiqen nga qyteti i rrethuar sipas kushteve të armëpushimit.
Homsi është një nga qytetet që ka qenë qendër e luftimeve të ashpra në konfliktin trevjeçar në Siri. Por, pas tij, edhe Hama është përfshirë në luftime të ashpra. Askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet kamikaze, por në javët e fundit shpërthime të tilla janë ndërmarrë nga militantët e lidhur me Al Kaedën të frontit Nusra.
Si Jibrin ashtu edhe al-Humeiri ndodhen nën kontrollin e trupave qeveritare. Grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë si Qeverinë e Bashar Al Asad ashtu edhe kryengritësit se në konfliktin mes tyre po vrasin civilë. Në Hama janë zhvilluar disa nga demonstratat më të mëdha në muajt e parë të kryengritjes kundër Al Asad në mars 2011. Por në verë të këtij viti, trupat e sigurisë bastisën qytetin dhe ndodhen në kontroll të tij që prej asaj kohe.
Dhuna në Siri ka njohur episode të reja këto ditë, kur edhe bastione kryengritëse në qytetin e Alepos iu nënshtruan bombardimit të fuqishëm të trupave qeveritare. Të enjten gjatë një sulmi ajror në një treg në Alepo u vranë 33 persona.

Share Button