Shpërthim i fuqishëm në qendër të Athinës

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në qendër të Athinës në rrugën e “Ksenofondi”, pak metra nga “Sindagma”.

Sipas policisë greke objekt i sulmit ka qenë Dhoma e Federatës së Industrive Greke. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në Dhomën e Industrive dhe në një hotel ngjitur, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz.

Ajo çka u gjet ishte një pajisje me kurdisje e cila ishte e vendosur në një çantë udhëtimi prnë hyrjes së ndërtesës.

Policia njoftoi se shpërthimi i bombës ishte paraprirë nga një telefonatë në redaksinë e një gazete ku u tha se një bombë do të shpërthente pas 40 minutash.

Policia shkoi drejt vendit të ngjarjes, por pa mundur të çaktivizojë bombën, dhe ashtu sic u paralajmëroi ajo shpërtheu, duke shkaktuar zhurmë në qendër të kryeqytetit helen.

Hetimet për këtë ngjarje kanë fillur, ndërkohë që kjo ngjarje vjen 10 ditë pas sulmeve terroriste në Paris, ku edhe Athina si shumica e kryeqyteteve europiane është vënë në alarm.

 

 

Share Button