150 të sëmurë nga ethet tropikale në Kenia

Të paktën 150 njerëz janë infektuar me ethe tropikale në rajonin bregdetar të shtetit afrikan të Kenias, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Shëndetësisë në provincën keniane Mombasa, Binti Omara ka deklaruar se në spitalin shtetëror janë shtruar të paktën 120 persona me ethe tropikale dhe se të paktën 30 pacientë të tillë janë kujdesur në karantinë në spitalet private.

Duke theksuar se deri më tani nuk janë raportuar raste të vdekjes, ministri Omara tha se epidemia e etheve tropikale në ditët e fundit është përhapur në gjashtë rajone në Mombasa.

Kjo është një sëmundje virale e cila bartet nga mushkonjat, dhe karakterizohet me rritje të temperaturës, ethe, dhimbje koke dhe dhimbje në muskuj dhe nyje. Sëmundja është më e përhapur në Azinë Juglindore dhe vendet e Paqësorit. Supozohet se nga ethet tropikale çdo vit diagnostikohen 390 milionë njerëz.

Ethet tropikale deri më tani, pas malaries, është sëmundja më e rëndësishme epidemiologjike që bartet nga mushkonjat, kurse trajtimi varet nga pajisjet e spitalit.

Sipas të dhënave zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ethet tropikale janë sëmundje aktive në të paktën 125 shtete të botës.

Share Button