Më 14-15 shtator në Astana do të mbahet takimi i gjashtë për Sirinë

Ministria e Jashtme e Kazakistanit ka njoftuar se takimi i 6-të me temë Sirinë në kryeqytetin Astana do të mbahet më 14-15 shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se në këtë takim do të diskutohet për dokumentet të cilat rregullojnë aktivitetet e forcave të sigurisë në zonat jokonfliktuale dhe do të vazhdohen punimet për formimin e forcave të kontrollit në Idlib.

Gjithashtu në deklaratë bëhet e ditur se pjesëmarrësit do të miratojnë kufijtë e rajoneve jokonfliktuale në Idlib, Humus dhe Guta-n Lindore.

“Qendra e koordinimit do të miratojë edhe draftin për grupin e përbashkët të punës për lirimin e të arrestuarve dhe pengjeve dhe kërkimin e personave të humbur”, qëndron në deklaratë.

Palët do të nënshkruajnë edhe një deklaratë për pastrimin nga minat të rajoneve që ndodhen në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Ndërkohë në deklaratë është njoftuar se vendet garantuese Turqia, Irani dhe Rusia do të zhvillojnë bisedime teknike më 13 shtator.

Share Button