1000 të vrarë për një javë në Halep, shënjestër spitalet

Halepi ka kaluar ditë të përgjakshme që prej mbarimit të armëpushimit. Sulmet ajrore të regjimit sirian dhe të aleatëve rusë kanë qenë të panumërta, duke lënë viktima pas.

Siç bën me dije drejtuesi i Helmetave të Bardha, Raed Saleh, rreth një mijë njerëz janë vrarë në Halep gjatë shtatë ditëve të fundit.

Saleh ka mbajtur një fjalë në një takim të Këshillit të Atlantikut, ku ka thënë se, “Njerëzit nuk kanë ku të fshihen nga sulmet ajrore vdekjeprurëse. Banorët e Halepit janë në pritje të vdekjes, ndërsa bota vazhdon të vështrojë. Rreth një mijë njerëz u vranë vetëm në një javë.”

“Duam ta ndalojmë vrasjen e civilëve, dhe dëshirojmë të kemi një Siri që nuk ka nevojë fare për ne,” ka vazhduar ai.

Të dhëna ka ofruar drejtuesi i Helmetave të Bardha dhe për dëmet që ka pësuar organizata e tij prej sulmeve ajrore.

“Sulmet ajrore vdekjeprurëse kanë vënë në shenjë organizatat joqeveritare, përfshirë ne. 12 prej 120 nga Helmetat e Bardha u plagosën në sulmet ajrore, ndërsa 19 ambulanca qenë objektiv i sulmeve.”

Në një kohë që mësymja e forcave qeveritare nuk ka të ndalur, gjashtë persona u vranë në sulmet ajrore mbi dy spitale në atë zonë të Halepit të kontrolluar nga kryengritësit.

Sulmet janë kryer në orët e para të ditës së sotme, dhe kanë qenë të qëllimshme. Dy spitalet janë goditur dhe më herët gjatë sulmeve.

Share Button