​Shoqëri e kontradiktave

Është viti 2017 dhe ende ndodh kjo?

Ashtu si unë dhe shumë të tjerë e përdorim vitin aktual si referencë për një kohë e cila duhet të kishte sjellë zhvillimin. Mesa duket vitet ndonjëherë shërbejnë për të ndërruar kalendarët dhe për t’u plakur, por jo për të ecur përpara. Kjo mos përputhje ndodh më tepër në vende si e jona, ku shpresa për të qenë koherent mbetet e vakët dhe përtace. Ka shumë dëshirë tek njerëzit, por nuk ka akoma një forcë për t’u zhvilluar. ‘Jemi shoqëri në tranzicion’ shprehen shpesh analistët sikur duan të justifikojnë plogështinë. Në përkufizimin e studiuesve T. Karl dhe C. Schmitter, tranzicioni nuk është veçse një periudhë e madhe pasigurie politike. Ai u nënshtrohet pasigurive të paparashikuara, proceseve të pafundme dhe rezultateve të paimagjinueshme.(2006:207) Por mesa duket po mbetemi ende në pritje të këtyre rezultateve. Shpesh mbyllemi në një rreth vicioz i cili na plak në lule të moshës, na heq vrullin për të ndryshuar, për të bërë diçka më të mirë.  Jemi shndëruar në shoqëri kontraditash duke filluar nga gjërat e përditshme.

Vijmë nga fshati në qytet, por nuk pranojmë që qyteti ka rregulla të tjera.  Fillojmë ankohemi për ushqimet me hormone, por harrojnë që fshati u braktis se nuk do njeri të jetë bujk dhe fermer. Ankohemi per papunësinë e cila ende mbetet plagë e shoqërisë tonë. Nga ana tjetër të dhënat e studimeve na tregojnë diçka tjetër. Agjensia ndërkombëtare e stdimeve për ekonominë “Standard & Poor’s”, raporton se shkalla e papunësisë në Shqipëri për vitin 2016 ishte 13.9 për qind, dhe parashikimet janë drejt uljes për 2017-n me 13.5 për qind dhe për vitin 2018 12.8 për qind. Ndërsa agjensitë vendase të punësimit tregojnë se shqiptarët edhe kur nuk kanë eksperiencë nuk do donim punë që nuk kanë një pagë apo pozicion të mirë. Kjo tregon se nuk i pelqen të jenë ndihmës apo kamarier, sepse dëshira është të jenë drejtues dhe shefa.

Kontraditor jemi edhe në gjerat e thjeshta. Nuk na pëlqen biçikleta, madje kemi turp të lëvizim me të, por nuk e kemi problem të kemi një makinë luksoze të blerë me para të pista. Sa herë dëgjohen të rinjtë tek lakmojnë luksin dhe dëshirën për t’u pasuruar shpejt. Është për të ardhur keq se si po pakësohen personat që mbështesin sinqeritetin dhe punën me vlerë.  Por jeta ka dhe të papritura ku sëmundja bën pjesë. Bërtasim nga inati që mjekët na marrin para dhe vete ia fusim në xhep. Në vijim të ankesave qëllon shpesh të shajmë apo të mos pëlqejmë qeverisjen e një partie, por nga ana tjetër justifikojmë paaftesinë e partisë që aderojmë. Nëse do i referohemi ekspertëve politik, theksohet se: “Pavarësisht plejadave relativisht të favorshme, kalimi në demokraci mund të dështojë kur mungon vullneti dhe kur veprohet politikisht me ngathtësi,  dhe që të dyja këto janë elemente shumë të pranishme në politikën shqiptare. (Manfred G. Schmidt, 2012: 446)

Kontraditat vazhdojnë dhe më gjerë. Le të kujtojmë protestat e shumta kundër ndotjes dhe plehrave. Organizuam protesta, ngritëm pankarta, tundëm parulla dhe bërtitëm me të madhe. Hapëm me dhjetra faqe në facebook kundër importit të plehrave. Nga ana tjetër ende vazhdojmë të hedhim mbeturinat nga dritarja, t’i grumbullojmë qeset aty këtu përveçse në koshat përkatës.

Kontradita shohim dhe për të punësuarit. Nga njëra anë nuk na pëlqen shefi i punës. Themi që janë të komandur politikisht, të paaftë, rrinë kot dhe meritojnë një grusht në fytyrë. Nga ana tjetër shkojmë dhe i bejmë lajka dhe komplimente. Sa herë na qëllon të mos jemi dakort me rregullat e reja dhe nuk kundërshtojmë. Heshtim dhe pranojmë nga frika se mos na heqin nga puna.

Kontradita ka dhe në familje. Ndërtojmë me pangopje një vil tre kate, por kati fundit thuajse nuk përfundon asnjëherë. Për fëmijët tanë gjithmonë kujdesemi dhe nuk duam  të na e dhunojë mësuesi, shoku apo shoqja e klasës, por në shtëpi e dhunojmë vetë. Prindi ende nuk e kupton që dhuna është dhunë, pavarësisht kush e ushtron.

Jemi në epokën e internetit, dëgjojmë tek thonë. Mund të flasim virtualisht dhe të përdorim teknologjinë. Dhe kështu blejmë kompjutera dhe telefona të fundit, abonojmë internet çdo muaj, por përdorim veç rrjetet sociale. Shkruajmë statuse dhe hedhim poezi. Na pëlqen të japim ide pafund, por mendoni pak: sa libra kemi lexuar në jetë?

Jemi kontraditor dhe konservator, aspak antikonformist.  Na manipulojnë, gënjejnë,  dhe mbetemi po aty. Ndaj natyrshëm mund të themi se si unë, si ti dhe të gjithë jemi fajtor për këtë mos zhvillim. Të rinjtë duhet të bërtasin dhe të jenë të gjallë. Të mbushin rrugët dhe të nxitojnë për shkollë. Të gabojnë dhe të mos kenë turp të thonë më fal. Të ecin me biçikleta dhe patina. T’i shohim me libra dhe t’i dëgjojmë të flasin me mendjen e tyre. Mos të ikin jashtë por të ngrejnë themele të forta këtu në vendin e tyre. Ndryshe do mbetemi ende në ndërrim kalendarësh pafund por s’do ecim me hapin e kohës.

Marsida Simo

Share Button