​Këndvështrim përmes syve të adoleshentëve

Viti i 18 i jetës është periudha ku individit i mësohet ligjërisht që është koha ku nis rrugëtimi i tij si i rritur. Megjithatë pavarësia e vërtetë do ende kohë dhe përkushtim që të  ndodhi sepse njerëzit janë të ndryshëm dhe mbi të ndikojnë shumë faktor si, edukata familjare,  kultura, bashkëmoshatarët, mjedisi social etj. Ajo që mund të vihet re është se komplikimet kanë filluar shumë më herët. Madje eksplorimi i vetes si një qenie njerëzore ka nisur që në vogëli duke vazhduar më tej. Vetëm se deri tani njohuritë kanë qenë të papërfillshme në krahasim me dëshirën për të ditur më tepër. Nga njëra anë,  adoleshentët ushqehen me letërsinë e dashurisë dhe sakrificës së Romeos dhe Zhulietës dhe nga ana tjetër i pyesin  të rrojnë apo të mos rrojnë. Kjo nuk është çështja! Çështja është se si të jetojnë.

Individi në këtë moshë njeh rreth vetes përceptime fillestare, se ku studiojnë, sa të gjatë janë, ngjyrën e syve dhe aspekte kryesisht fizike. Madje më tëpër e njohin veten ashtu siç i karakterizojnë të tjerët. Arrijnë të  dallojnë pasionet e momentit dhe ambiciet  deri diku.  Mund të shprehen me shumë fjali në mendjen e tyre, por nuk i artikulojnë dot. Madje me çudi pyesin veten herë pas here: “Kush jam unë?”

Në këtë moshë njeriu ndihet  në kontradiktë me veten, kryesisht me faktin që askush nuk i pyeti nëse donin të lindnin apo jo. Ky inat i pa adresuar diku i shton nervozizmin duke e mbajtur brenda vetes, për t’i dhënë një shpjegim më vonë. Ndaj jo pak herë adoleshentët duan të rriten shpejt. Disa të tjerë thjesht e qetësojnë veten përkohësisht duke menduar se ekzistenca është si një shans i të provuarit të eksperiencave jetësore.

Vazhdimi i këtyre shqetësimeve në mendjen e tyre i çon adoleshentët deri në një pikë ku njihen me çastin e parë të tronditjes si qenie njerëzore pasi ka shumë momente ku nuk njohin më veten. Mund të mendojnë se janë  dikush me një emer që të tjerët kanë vendosur për të. Të lindur nga dy prindër që nuk i zgjodhën. Edhe vitet e moshës i vendos koha. Studiojnë në një shkollë  ku njohuritë që duhet të marrin, i kanë shkruar të tjerët. E ndërkohë ata vazhdojnë të kërkojnë veten.

Me të drejtë adoleshentët nuk gjejnë qetësi pasi deri në këtë moshë individi në pavetëdije nuk e ka vendosur ende se kush është. Mund t’i përgjigjen vetem pyetjeve që lidhen me fizikun, por edhe ky aspekt është në ndryshim të vazhdueshëm. Madje kuptojnë që dhe karakteri herë pas here lëkundet.  Ai krijohet në dallgët e stuhishmë të jetës, formohet në thellësinë e saj dhe zbrazet në bregun e detit të eksperiencës. Ndaj në këtë vijmësi formimi si njeri, ndjejnë se dikush i ka shpallur luftë.
Një tjetër aspekt që vihet re ne këtë moshë është dëshira për t’u rebeluar dhe për të bërë diçka ndryshe. Jo pak adoleshentë nevojën për të qenë unik e zgjidhin duke imituar subkultura të ndryshme. Në sociologji, antropologji dhe studime kulturore, subkulturë konsiderohet një grup njerëzish me një kulturë të veçantë ose e fshehur, e cila i dallon ata nga kultura të mëdha në të cilat ata i përkasin.

Duke marrë si pasqyrim idhuj të muzikës ose aktorë të njohur, adoleshentët krijojnë imazhin e personit që duan t’i ngjajnë. Gjithashtu me anë të internetit adoleshentët futen nëpër forume të shumta duke shkëmbyer informacione me moshatarët e tyre nga vende të huaja. Të gjitha këto informacione të marra, i përpunojnë dhe shumë prej tyre vendosin të ndryshojnë mënyrë të jetuari për t’ju kundërvënë realitetit.

Subkultura të ndryshme si metalarët, emo, punk, repista, kanë egzistuar që në vitet 1970 kryesisht në Amerikë. Kohët e fundit ky model i të jetuarit vihet re të ndiqet dhe nga adoleshentët shqiptarë.  Po ashtu sot vihet re se të qënurit normal është bërë një koncept tepër i ndërlikuar. Të gjitha veprimet apo mënyra e sjelljes apo veshjes mund të konsiderohet normale sipas arsyetimit të secilit prej tyre. Dikujt mund t’i duket shumë normale ose e pranueshme të futet në kategorinë e njerëzve të cilëve i’u pëlqen të studiojnë, të ndjekin kurse të gjuhëve të huaja, të shkojnë në bibliotekë dhe të shohin një film në kinema. Disa të tjerëve këto aktivitete i’u duken një mënyrë e prapambetur dhe aspak fitimprurëse. Këta adoleshentë do të preferonin më tepër të kalonin kohë me shoqërinë duke qenë pjesë e devijancave për të stimuluar kënaqësinë shpirtërore duke e justifikuar si mënyrë për të dalë nga monotonia mbytëse që prindërit i detyrojnë të bëjnë.
Adoleshentët duhet të dijnë se kjo luftë e brendshme nuk është e përjetshme. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është të miqësohën me  kohën. Pakti i tyre është reciprok. Ndërsa ajo ecen dhe nuk kthehet prapa, lihen mbeturinat për një ushqim më të mirë të mendjes dhe shpirtit. Po ashtu prindi nuk duhet të mungojë asnjëherë. Madje ai duhet të jetë më shumë i pranishëm kryesisht kur fëmija e tij adoleshent i thotë që s’ka nevojë për të. Ka shumë rëndësi që të jenë prindërit personat ku fëmijët të marrin shembull!

Marsida Simo

Share Button